-0.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Ministria e Financave ende s’i ka ndarë paratë për themelimin e ushtrisë

Ministria e Financave ende nuk ka vendosur nëse do të japë para për ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës. Pavarësisht që shuma e kërkuar për një vit nuk e kalon shumën prej 5 milionë eurove, deklarata financiare e përpiluar nga Ministria e FSK-së nuk po arrin mirëkuptimin e shefit të Financave të shtetit për të nisur tutje me krijimin e ushtrisë.

Kohavisioni ka kuptuar se ajo që FSK-ja ka paraparë në deklaratën financiare, e cila parimisht thuhet të ketë marrë mbështetjen e kryeministrit Mustafa, është që në vitin e 10-të të saj buxheti të rritet në 90 milionë euro, pasi strategjia flet për evoluimin e saj në një periudhë 10-vjeçare.
Ministria e Financave ka pranuar se ka marrë kërkesën e MFSK-së për vlerësimin e ndikimit buxhetor për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, por që ende nuk e kanë shqyrtuar atë.
“Ministria e Financave është në fazën e konsultimeve dhe është duke analizuar e shqyrtuar këtë kërkesë. Aktualisht Ministria e Financave është në fazën finale të përgatitjes së Qarkores së dytë buxhetore 2017/02 që ka të bëjë me planifikimin e buxhetit për periudhën 2017-2019. Në momentin që ne do të lëshojmë këtë dokument do të përfshihet edhe vlerësimi i ndikimit buxhetor për këtë projektligj,” thuhet në përgjigjeni që zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.
Televizioni ka provuar të marrë sqarime edhe nga Ministria e Forcës për procesin, e cila nëpërmjet një përgjigjeje elektronike ka bërë të ditur se i kanë kompletuar draft Ligjet për evoluimin në një afat 10 -vjeçar të FSK-së, e të cilat fillimisht lidhen me amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pastaj me miratimin e ligjeve.
“Plani Afatgjatë Zhvillimor është hartuar në përkrahje të ekspertëve nga SHBA-ja dhe shtetet tjera mike për ngritjen dhe transformimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura. Konform këtij plani kemi hartuar kërkesën për Deklaratën Financiare për vitin 2017-2019, të cilën e kemi dërguar në Ministrinë e Financave për miratim nga ministri i kësaj ministrie”.
Sidoqoftë, FSK-ja tashmë ka dorëzuar në Qeverinë e Kosovës Memorandumin për ndryshimin e rreth 42 ligjeve për evoluimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.
Në pikën dy të këtij memorandumi thuhet se duke u nisur nga analiza që ka dalë nga Rishikimi i Sektorit të Sigurisë dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës, parashihet të bëhet transformimi gradual i FSK-së në një organizatë me mision të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Forcë kjo që është vullnetare e përbërë nga të gjitha komunitetet dhe që do të marrë përsipër funksionet e sigurisë që nuk janë të përshtatshme për Policinë dhe organizatat e sundimit të ligjit.
Derisa ajo që ka rekomanduar Ministria e FSK-së është evoluimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, e të cilat do të ruajnë integritetin territorial të vendit dhe ofrimin e mbështetjes ushtarake autoriteteve civile në rast të fatkeqësive dhe pjesëmarrjes në operacione paqeruajtëse.
Në fund të memorandumit është konstatuar se duke marrë për bazë faktin se krijimi i FAK-ut është prioritet i Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces janë të informuara mirë për gjitha obligimet që dalin nga projektligji.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img