Ministria e Drejtësisë (MD) ka njoftuar se gërmimet e së mërkurës për gjetjen e eshtrave në dy lokacione në veri të vendit, nuk kanë të bëjnë me mbetje skeletore nga lufta e fundit.
Ministria përmes njoftimit thotë se aktivitetet fushore të realizuara në veri të Mitrovicës, ndonëse në dy lokacione të ndryshme kanë të bëjbë me të njëjtin rast.
“Me urdherese nga Prokurori i Shtetit, ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, së bashku me kolegët nga Eulexi, kanë marrë pjesë në operacionet fushore që nuk kanë të bëjnë me mbetje skeletore nga lufta e fundit.
Aktivitet fushore të realizuara në Veriun e Mitrovicës janë kryer në dy lokacione të ndryshme, mirëpo që kanë të bëjnë me të njëjtin rast.
Pasiqë rasti konsiderohet se është nën hetime, për më shumë detaje drejtohuni në zyrën e Prokurorit të Shtetit, regjionin e Mitrovicës ose në Komandën e Policisë, në Veriun e Mitrovicës.Për hirë të ndjeshmërisë së çështjes së të pagjeturve, edhe njëherë e potencojmë faktin se aktiviteti i sotëm fushor, nuk ka të bëjë me personat e zhdukur nga lufta e fundit 98-99 ”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Ndryshe, sot, policia dhe EULEX-i kanë nisur gërmime për gjetje të eshtrave në fshatin Suhodoll, por edhe në magjistralen Leposaviq-Zveçan.