Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mohuar se Danimarka është tërhequr nga marrëveshja me Kosovën për transferimin e të burgosurve nga burgjet daneze në burgun e Gjilanit.
“Ne kemi qenë në komunikim me autoritetet daneze që në orët e hershme të mëngjesit pasi ka qarkulluar një lajm se Danimarka ka pezulluar këtë vendim. Ky lajm nuk është i vërtetë duke pasur parasysh që delegacionet e Kosovës dhe Danimarkës kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm, madje planifikohet edhe një vizitë e delegacionit danez në muajin tetor, prandaj unë nuk e kuptoj sesi ka qarkulluar ky lajm. Kemi konfirmimin edhe të autoriteteve daneze se marrëveshja nuk është pezulluar, ka deklaruar Haxhiu para mediave.
Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas njoftimeve në median daneze ekstrabladet se marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës është pezulluar.
Sallahu përmes një njoftimi në Facebook thotë se raportimet se Mbretëria e Danimarkës është tërhequr nga Traktati ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.
“Duam të njoftojmë opinionin dhe publikun e gjerë se lajmet e shpërndara se gjoja Mbretëria e Danimarkës është tërhequr nga Traktati ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze nuk qëndron dhe nuk është i vërtetë”, thuhet në njoftimin e zëvendësministrit të Drejtësisë Blerim Sallahu.
“Gjatë ditës së sotme, kemi komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dhe ata na kanë konfirmuar se qëndrojnë tërësisht pranë zotimeve të dakorduara në Traktat dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raport me marrëveshjen e përbashkët”, ka njoftuar tutje Sallahu./Prishtinapress/
Zëvendësministri i Drejtësisë ka kujtuar se tashmë Danimarka ka ratifikuar Traktatin në Parlamentin e tyre.
“Është e rëndësishme të theksohet se tashmë shteti danez e ka ratifikuar Traktatin edhe në Parlamentin e tyre dhe gjithçka po vazhdon sipas planit të paracaktuar drejt përmbushjes së obligimeve të dyanshme mes nesh”.
Ai ka thënë se shumë shpejt edhe Kosova do të bëjë ratifikimin e traktatit ën Kuvend dhe do të procedohet tutje.
“Në këtë drejtim, edhe ne së shpejti do të procedojmë Traktatin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze për në Qeverinë e Republikës së Kosovës për miratim, prej ku do të përcillet për në Kuvend për ratifikim”.
Ministria e Drejtësisë thotë se këto informacione kanë për bazë kontaktet e sotme me Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës.