Megjithëse legjislacioni për tri kategori përfituese të skemës pensionale ka qenë në fuqi që nga viti i kaluar, të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, pensionet familjare dhe invalidore të punës nuk kanë qenë duke u zbatuar deri më tani.
Mirëpo, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka proceduar sot pagesat për këto tri kategori.
Shqetësimet për mos marrjen e pensioneve janë paraqitur edhe nga vetë qytetarët të cilët vazhdimisht kanë kërkuar të dinë se çfarë po ndodhë me pensionet që u takojnë.
Këto tri skema pensionale, të dala nga Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, kanë parashtruar kërkesat e para që nga muaji mars 2017 ndërkaq nga muaji janar i të njëjtit vit, ka filluar edhe implementimi i Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, ku janë pranuar edhe kërkesat e para.
Një nga shqetësimet e para pas marrjes së detyrës të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka qenë mos zbatimi i këtyre tri skemave, andaj është angazhuar maksimalisht për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që këto kategori ti gëzojnë të drejtat e tyre të përcaktuara me ligj.
Përveç pagesave të rregullta mujore, gjithashtu, çdo muaj, në llogaritë e përfituesve të këtyre tri kategorive do te dalë edhe nga një pension për të gjitha rastet e paraqitura dhe të aprovuara.