Site icon PrishtinaPress

Ministri Reçica jep një lajm të mirë për mbi 1 200 të riatdhesuar

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi në fushën e riintegrimit ekonomik të personave të riatdhesuar në tregun e punës. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, Ministri i MPB-së, Bejtush Gashi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Ulrika Richardson.

Me anë të kësaj marrëveshje do të mbështeten personat e riatdhesuar duke ju ofruar mundësi në trajnim, punësim dhe krijim të bizneseve të reja dhe ofrimit të shërbimeve të konsulencës, në kuadër të Programit Aktiv për Tregun e Punës në Kosovë.

Kësaj marrëveshje i ka paraprirë marrëveshja ndërministrore e nënshkruar në muajin maj të këtij viti në mes të MPMS-së dhe MPB-së, rreth transferimit të kompetencave në fushën e riintegrimit ekonomik nga MPB në MPMS.

Ky projekt do të realizohet nga MPMS në bashkëpunim me UNDP-në gjatë periudhës 2019-2021 dhe në bazë të marrëveshjes, pritet të përfitojnë më shumë se 1 250 persona të riatdhesuar duke ju ofruar mundësi të trajnimit, punësimit dhe krijimi të bizneseve të reja.

Qëllimi i këtij projekti është riintegrimi i qëndrueshëm ekonomik i familjeve të riatdhesuara, si një nga kriteret për liberalizim të vizave dhe integrimeve euroatlantike, përmes dhënies së mundësisë së trajnimit, punësimit dhe hapjes së bizneseve të reja përmes programeve aktive te tregut te punës, për persona të riatdhesuar, në përputhje më politikat e riintegrimit të personave të riatdhesuar në tregun e punës dhe legjislacionin përkatës në fuqi.

Exit mobile version