Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vazhduar edhe këtë fundjavë vizitat në terren te fermerët, për të parë nga afër se ku po shkojnë grantet dhe subvencionet e ministrisë që ai drejton.
Kreu i MBPZhR-së u shpreh i lumtur me investimet e ministrisë, të cilat tha se po i marrin fermerët meritorë.
Ministri Peci e ka nisur “orarin e punës” herët në mëngjes, duke vizituar fermën e pulave të familjes Jahiri në Slivovë të Ferizajt, përfituese e grantit në vlerë prej 100 mijë euro, përmes Programit për Zhvillim Rural 2022.
“Mirëmëngjes nga fshati Slivovë i komunës së Ferizajt! Dita e mirë shihet te Ferma e Pulave ‘Doris’ ShPK”, ka shkruar ai në Facebook.
Peci ka treguar se që nga viti 2019, familja Jahiri me vetëfinancim dhe kontribut nga mjetet financiare të familjes ka themeluar fermën “Doris” duke startuar fillimisht me 5000 pula vojse.
“Edhe pse ka aplikuar përgjatë viteve për përkrahje të projektit të saj, në vitin 2022 mbështetet përmes granteve për herë të parë. Përveç se përmes granteve, nën-sektorin e pulave vojse e kemi përkrahur edhe përmes subvencioneve”.
Më pas, Peci ka vizituar dy kultivues të perimeve në Kravaricë dhe Tërpezë të Vitisë.
Peci tha për Ekonomia Online se qëllimi i këtyre vizitave, të cilat janë bërë të përjavshme, është qe ta shohë nga afër se ku po shkojnë grantet dhe subvencionet e ministrisë.
“Në kuadër të vizitave të vazhdueshme, në fundjavë, jam duke parë nga afër investimet e Ministrisë së Bujqësisë në kategorinë e granteve”.
“Kam filluar ditën në orën tetë në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku kam vizituar fermën e pulave. Kemi vazhduar në Kravaricë të Vitisë. Tani jemi në Tërpezë, për ta parë investimin e radhës.”.
Peci tha se grantet dhe subvencionet e MBZhR-së për sektorin e bujqësisë janë në numër rekord.
“Grantet dhe subvencionet i kemi në numër rekord. Unë, si ministër, jam i përkushtuar që çdo grant ta shoh nga afër, përveç pjesës procedurale e ligjore, të sigurohem që investimi shkon në vendin e duhur dhe të eliminohen praktikat e keqpërdorimit. Të gjitha investimet po shkojnë te fermerët meritorë”, deklaroi ai.
Në Terpezë të Vitisë, Peci pa nga afër serrën e familjes Ajeti dhe bisedoi me ta rreth rendimenteve e sfidave që kanë. Ai tha se e gëzoi fakti që aty janë tri gjenerata të angazhuara.
“Më gëzoi fakti që pashë tri gjenerata të angazhuara në sektorin e bujqësisë, gjyshi, djali dhe nipi”, u shpreh Peci.
Ministri i Bujqësisë ka thënë se si ministri mbeten te përkushtuar drejt mbështetjes së prodhimit dhe zhvillimit me standardet më të larta të cilësisë.
“Do vazhdojmë ta shpalosim çdo investim në sektorin e bujqësisë, duke qenë transparent e llogaridhënës ndaj parasë publike”, ka theksuar Peci.