Site icon PrishtinaPress

Ministri Peci prezanton politikat bujqësore në takimin mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në margjinat e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi (GFFA), që po mbahet në Berlin, ka zhvilluar gjatë ditës një takim zyrtar me homologun e tij nga Lituania, Ministrin Kęstutis Navickas, me të cilin kanë bashkëbiseduar rreth sukseseve dhe sfidave në sektorin e bujqësisë dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë këtij takimi, Ministri Peci e ka njoftuar atë me politikat zhvillimore që kanë ndërmarrë gjatë viteve të fundit, që qëllim kanë avancimin e mëtejmë të sektorit bujqësor sipas standardeve evropiane.

“Ministrit Navickas i tregova rreth hapave të ndërmarrë karshi mbështetjes së fermerëve dhe sigurisë ushqimore si dhe për koordinimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian, me qëllim të akreditimit në IPARD”, ka thënë Ministri Peci.

Me këtë rast, Ministri e ka ftuar homologun e tij Navickas në Kosovë, që t’i shohë nga afër historitë e suksesit të bujqve tanë dhe ta formalizojnë edhe më tutje bashkëpunimin mes dy vendeve.

Gjatë ditës, në kuadër të GFFA në bashkëpunim me SWG është organizuar edhe takimi ndërministror mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i udhëhequr nga Ministri Cem Ozdemir, ku në kuadër të këtij takimi është diskutuar gjatë për rëndësinë e përfshirjes në Procesin e Berlinit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme agro-ushqimore.

Gjatë fjalimit të tij në këtë takim, Ministri Peci ka theksuar hapat e ndërmarrë përgjatë Qeverisjes në këto vite, si dhe angazhimin serioz drejt akreditimit dhe qasjes në fondet IPA.

Exit mobile version