Me ftesë zyrtare nga autoritetet më të larta të Universitetit të Forcave të Armatosura – Helmut Schimdt, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjendet për vizitë zyrtare në Republikën e Gjermanisë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj do të realizojë takim me homologen gjermane, ministren e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, takim ky i pari i një ministri të mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bundeswehr.
Sipas një njoftimi të ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kësaj vizite, Mehaj do të realizojë edhe takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që organizohet nën patronatin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-së, në Ramstein.
“Vizita e ministrit Mehaj në Gjermani, pas vizitave të ndërsjella në nivel ministrash është me rëndësi shumë të madhe për proceset zhvillimore të vendit në përgjithësi dhe për proceset zhvillimore e integruese të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në veçanti”, thuhet në kumtesë.