Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do ta pres në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.
Takimi do të fillojë në orën 12:00.
“Në orën 12:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, pret në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavský. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Çekia e ka Presidencën e Bashkimit Evropian, ndërsa është raportuar se në Këshill Evropian më 13 tetor do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Për vizitën e Lipavskyt ka shkruar edhe Agjencia Çeke e Lajmeve.
“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për të shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, ka thënë Lipavsky, cituar nga Agjencia Çeke e Lajmeve.
Ndryshe, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.
Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.
Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet. “Prandaj, Presidenca Çeke po mbështetet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Evropian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga vendet anëtare gjatë vjeshtës”, është shprehur ministri çek, shkruan “Euractiv”.