Site icon PrishtinaPress

Ministri i Mbrojtjes viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

“Gjatë qëndrimit tim dy ditorë në Holandë, kam takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë. Kam takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa kam biseduar shkurt edhe me Hysni Gucatin, i cili është duke u përballur me probleme shëndetësore”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj tha se i ka njoftuar ata me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes.

“I kam njoftuar për zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë”, ka shtuar ai.

Ai tha se beson në pafajësinë e të gjithve dhe pastërtinë e luftës clirimtare, duke shtuar se ndaj tyre po zhvillohet një gjykim i padrejtë.

“Të gjithë me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ne besojmë pa asnjë hamendësim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do të jemi gjithnjë krenarë me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë.Uroj që të gjithë të lirohen sa më shpejt”, ka shtuar ai.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare”, ka përfunduar ai.

Mehaj është ministër i Mbrojtjes në Qeverinë Kurti./Prishtinapress/

Exit mobile version