Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ekspertin e sigurisë dhe ish-eprorin e lartë të UÇK-së, Naim Maloku.
Me këtë rast, Mehaj e ka vlerësuar Malokun si një burrë të madh të kombit shqiptar. Ai ka thënë se dija dhe përvoja e Malokut është dhe do të jetë mbështetje e madhe në realizimin e vizionit nacional të sigurisë.
“Sot me stafin tim, prita në takim të veçantë, mikun tim, ushtarakun profesionist të rryer, atdhetarin e jashtëzakonshëm, liderin luftarak të fushëbetejave, intelektualin e mirëfilltë dhe njohësin e madh të fushës së mbrojtjes dhe sigurisë, gjeneral Naim Malokun. Ky burrë i madh i kombit, përkundër sfidave shëndetësore që po kalon qe tri vite, ka forcën dhe energjinë e pashtershme të bëjë më të mirën e tij për të ardhmen tonë të sigurt dhe prosperuese”.
“Me këtë rast, patëm nderin të dëgjojmë analizën e tij mbi realitetin gjeopolitik, gjeostrategjik, mjedisit global dhe atij rajonal të sigurisë si dhe kërcënimet dhe rreziqet me të cilat sfidohet ky mjedis. Miqësia jonë e hershme ka mundësuar që me gjeneral Naim Maloku të konsultohem për çështje të ndryshme. Dija dhe përvoja e tij e gjatë profesionale është dhe do të jetë mbështetje e madhe në realizimin e vizionit nacional, si dhe qëllimeve dhe objektivave të mi për të ardhmen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.