Site icon PrishtinaPress

Ministri i Mbrojtjes: Grupi i Banjskës deshi pushtim të Veriut

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka analizuar aksionin e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se vlerëson që Banjska ka qenë vetëm nisma e shpërndarjes së trupave të këtij grupi në terren.

“Kapja e terrenit ishte synimi apo qëllimi kryesor i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, pra vendosja e pozicioneve të luftimit. Kjo është pra një pushtim i pjesshëm i kapjes së anës veriore të vendit nga ana e tyre” – ka thënë ministri Maqedonci.

Ministri ka shpjeguar arsyet e dështimit të Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij.

Sipas tij, grupi terrorist nuk e ka kalkuluar siç duhet situatën dhe perceptimi në atë se çka e pret ka qenë i gabuar.

“Grupi terrorist ka dështuar për shkak të një gabimi që ata e kanë bërë në aspektin e reagimit në kontakt me patrullën e Policisë së Kosovës, pasi shpeshherë gabimet vijnë nga kalkulimet e gabuara dhe përceptimit të gabuar. Mendoj që ata kur janë futur në Kosovë kanë vlerësuar që Policia e Kosovës nuk do të ketë kapacitetin të paktën me këto patrullat dhe me ekipe të vogla që t’i bëjë rezistencë apo t’i pengojë lëvizjet e tyre, është pra kalkulim i gabuar nga ana e tyre” – ka thënë ministri Maqedonci.

Ai ka vlerësuar gjithashtu nga këndvështrimi ushtarak se ata e kanë kalkuluar keq edhe momentin e ‘reagimit në kontakt’

“Vlerësoj që Banjska ka qenë njëra nga nismat e para në terren për shpërndarjen e trupave” – tha ministri.

Ministri tha gjithashtu që grupi terrorist në Banjskë nuk e ka konsideruar mundësinë që do të hasin në një patrullë të Policisë.

“Aq më pak që Policia do të bëjë një rezistencë por gjithashtu vlerësoj që nuk kanë menduar që do të ketë një polic të rënë në detyrë” – ka shtuar ministri Maqedonci.

Më 24 shtator 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente./Kallxo.com

Exit mobile version