Site icon PrishtinaPress

Ministri i Kulturës i reagon ambasadorit gjerman për shtëpinë e Xhafer Devës

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, lidhur me “Shtëpinë e Xhafer Devës”, në Mitrovicë.

Ministri ka thënë se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash.

Sipas tij, monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne europiane.

“Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhepse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht. Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët”, shkroi ai.

“Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndesishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët. Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor)”, tha ministri MKRS-së në Facebook.

Exit mobile version