Site icon PrishtinaPress

Ministri i Jashtëm Pacolli i adresohet me fjalim Ministrave të Jashtëm vendeve anëtare të Frankofonisë, kërkon mbështetje për anëtarësim në INTERPOL

Kryediplomati i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë i ka kërkuar homologëve të tij mbështetjen e kandidaturës së Republikës së Kosovës për tu bërë anëtare e plotë dhe e barabartë e INTERPOL-it, në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj Organizate, që do të mbahet në muajin nëntor në Dubai.

“Të dashur kolegë, më lejoni t’ju informojë, që këtë vit, Kosova ka kandiduar për t’u bërë anëtare e Interpolit dhe vendimi përfundimtar do merret në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, në muajin nëntor. Ju e dini rëndësinë e kësaj organizate, kështu që ju ftoj, të dashur miq, të votoni për Kosovën në Interpol”, ka thënë Ministri Pacolli.

Në vazhdim të adresimit të tij, ai ka falënderuar nikoqirët e Konferencës për pritjen, ndërkohë që ka referuar në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm të Republikës së Kosovës me Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Që nga anëtarësimi i Kosovës si anëtar vëzhgues në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, Kosova ka bërë përpjekje të shumta për promovimin e gjuhës frënge dhe Frankofonisë. Bashkëpunime të reja dhe të rëndësishme janë krijuar në nivel universitar, sidomos pas anëtarësimit të Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare Frankofone. Më tej, Kuvendi i Kosovës i është bashkuar këtë vit Asamblesë Parlamentare Frankofone, gjë që do kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet deputetëve kosovarë dhe deputetëve të vendeve tjera frankofone në çështje të interesit të përbashkët për rajonin tonë, siç janë zhvillimi dhe promovimi i vlerave të demokracisë, paqes dhe diversitetit kulturor e linguistik”, është shprehur ministri Pacolli.

“Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës janë tërësisht të angazhuara në avancimin e agjendës frankofone në vend dhe integrimin e institucioneve ndërkombëtare frankofone, që do i shërbenin drejtpërdrejtë rinisë së Kosovës, duke i ofruar mundësi të reja për shkëmbim sa i përket arsimit dhe kulturës, por edhe sa i përket zhvillimit të projekteve frankofone të ndërmarrësisë dhe krijimtarisë në gjuhën frënge”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Exit mobile version