Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka treguar një arsye për mospërfundimin e rrugëve që lidhin Prishtinën me Mitrovicën, Pejën dhe Gjilanin.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se procesi i shpronësimit të tokave, ka qenë një nga arsyet kryesore, por pa lënë anash edhe projektet e dobëta, që sipas tij janë trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë një ndër pengesat kryesore në realizimin e këtyre projekteve që sot i kemi pasur nëpër këmbë dhe duhet t’i zgjidhim me radhë. Natyrisht përpos çështjes së shpronësimeve dhe cilësia e punimeve ka qenë një ndër shkaktarët e vonesave të shumta që kemi pasur përgjatë viteve”, tha ai.
Ndërkohë ka zbuluar se qeveria ka paraparë një buxhet prej 32 milionsh për projektin Kijevë-Dollc.
“Është parapa buxhet prej 32 milionë euro për gjithë projektin nga Kijevë deri në Dollc pa pjesën e shpronësimeve. Pasi u morr vendimi (për shpronësim), tash kalojmë në faza të tjera që kanë të bëjnë me diskutime publike dhe vlerësimin e pronave do të dal edhe vlera e shpronësimit për gjithë rrugën dhe segmentin Kijevë-Dollc.
“Buxheti prej 32 milionë euro është paraparë për tri vite. Viti i parë do të ketë 4 milionë euro, vitin 2024 do të jenë 13 milionë, kurse vitin 2025 do të jenë 15 milionë euro”, theksoi ministri.
Ndryshe, Gazeta Insajderi ka shkruar sot gjatë ditës se dikasterit të Aliut i janë dashur një vit për ta përmbyllur një pjesë të kontratës për mirëmbajtjen investive të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës.