Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, deklaron se ndëshkimi meritor është përgjigja më e mirë për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas tij, vrasja e të rejës nga Prishtina është rasti i parë që ndodhë një krim i përmasave të tilla në vendet e rajonit.
Manja teksa komenton inskenimin e vrasjes nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, konsideron se i njëjti nuk meriton të quhet shqiptar. Ai flet edhe për rastet e dhunës mbi baza gjinore në Shqipëri dhe masat që janë duke ndërmarrë për të parandaluar raste të tilla.
Ministri i Drejtësisë së Shqipëri ka ngushëlluar familjen dhe të afërmit e Liridona Ademaj, e cila u vra javën e kaluar në Prishtinë.
“Thirrja ime në rastin konkret shkon për organet e drejtësisë. Ky rast do të duhet të trajtohet në mënyrë transperente në të gjithë dimensionin e saj kriminal që ka. Sepse është rasti i parë që në vendet tona të rajonit, aty ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët që ndodhë një krim i përmasave të tilla.
Ai meriton ndëshkim meritor por edhe rasti i Liridonës dhe i ndëshkimit meritor që do të duhet të marrë nga organet e drejtësisë do të duhet të jetë një rast përgjegjësues për të mos ndodhur më në shoqëritë tona një krim i tillë i shëmtuar. Le të themi, ai nuk meriton për mendimin tim të quhet shqiptar. Tani i takon drejtësisë që të jap përgjigjen. Dhe përgjigjen duhet ta jap shpejt në mënyrë objektive, për të mos e lënë që rastit t’i vihet pluhuri i harresës. Një drejtësi që jepet shpejt, në kohë dhe në mënyrë objektive është përgjigja më e mirë që marrin monstrat e tilla”, deklaron ai për KP.
Tutje, shton se nuk mjaftojnë vetëm 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore për të adresuar këto probleme.
Ministri Ulsi Manja tregon se gjatë këtij viti, autoritetet gjyqësore në Shqipëri kanë lëshuar mbi dy mijë urdhra mbrojtjeje për gratë dhe vajzat.
Ai deklaron se roli i institucioneve në luftimin e këtyre rasteve është i pazëvendësueshëm,
ku tregon se cilët janë hapat që po ndërmarrin në adresimin e këtyre çështjeve.
Javën e kaluar në rrugën “Dalip Alshiqi” është vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Policia e Kosovës rastin e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.
Njëri nga ta ishte bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava – i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.
Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës. Policia arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili është Kushtrim Kokalla – pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.