5.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Ministri Hasani thërret bizneset të aplikojnë në fondin COSME

Sot ka filluar punëtoria dy ditore, që është organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), e që ka për qëllim të informojë, të promovojë dhe të ofrojë informata relevante përfituesve potencialë në lidhje me programin e BE-së për konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fondin e BE/COSME.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në hapjen e kësaj punëtorie, ka theksuar se është një mundësi e mirë për bizneset që të qasen në këto fonde për t’i rritur kapacitetet dhe vendet e punës.

Hasani ka  thënë se Qeveria e Kosovës ka obligime që dalin nga anëtarësimi në këtë fond, e që sipas tij, ka ndodhur që shtetet fqinje nuk kanë mundur të përfitojnë.

“Programin COSME e kemi nënshkruar në fund të dhjetorit të vitit 2017. Ky program bart edhe shpenzimet për Qeverinë e Kosovës, sepse kemi pagesa për anëtarësinë për arsye se ky program është deri në vitin 2020 dhe besoj që duhet të kemi shumë kujdes për shfrytëzimin e këtij fondi për shkakun se ka qenë shqetësim për ta shfrytëzuar më së miri këtë program nga ndërmarrjet tona. Shtetet fqinje që janë anëtare ka ndodhë që nuk kanë mundur të përfitojnë, për faktin se nuk kanë qenë të përgatitura ndërmarrjet për të dalë me një plan biznesi dhe kanë dështuar duke mos mundur të përfitojnë”, ka thënë ministri Hasani.

Ministri Hasani ka thënë se është optimist se ndërmarrjet e Kosovës do të përfitojnë nga fondi, duke shtuar se do të jenë në dispozicion të plotë që të japin informata shtesë.

“Unë besoj shumë se Kosova do të përfitojë nga këto fonde, por gjithnjë do të jemi përkrahës. Unë besoj që edhe KIESA do të jetë shumë bashkëpunuese dhe për çdo gjë që keni ju kisha lutur t’i drejtoheni kësaj agjencie. Për çdo informatë shtesë rreth shfrytëzimit të fondit jemi në dispozicion të plotë me qëllim më të mirën që të përfitojë Kosova”, ka thënë Hasani.

Ai tutje ka shtuar se obligimet e Qeverisë së Kosovës janë 450 mijë euro që dalin nga anëtarësimi dhe për këtë duhet të shfrytëzuar mundësia.

Ministri Hasani po ashtu ka thënë se do të ndajnë një fond për t’i informuar ndërmarrjet që të përgatiten më lehtë.

“Në 3 vitet e ardhshme Qeverisë së Kosovës i kushton 450 mijë euro anëtarësimi dhe nuk do të dëshiroja që të mbesin vetëm këto shpenzime dhe mos ta shfrytëzojnë ndërmarrjet tona, sepse janë praktikat nga shtetet fqinje që janë anëtarë të këtij fondi, por nuk kanë arritur të përfitojnë asgjë. Ndoshta mungesa e informimit, procedurat kanë ndikuar, e për këtë do të ndajmë një fond të veçantë për çështjen e përgatitjes apo informimit”, ka thënë ai.

COSME është programi i BE-së qëllimi i të cilit është të përmirësojë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BE dhe NVM-ve në shtetet e treta që marrin pjesë në këtë program.

COSME me një buxhet prej EUR 2,3 miliardë, ka për qëllim përmirësimin e qasjes në financa, qasjen në tregje, përmirësimin e kushteve të kuadrit ligjor dhe administrativ për konkurrueshmërinë e NVM dhe  të promovojë sipërmarrjen.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img