Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Ozdemir, ka përgëzuar Qeverinë dhe Policinë e Kosovës për veprimet e tyre pas sulmit terrorist në veri të vendit.
Ai ka thënë se vizita e tij në Kosovë është edhe një shenjë solidarizimi, pas situatës së vështirë që Kosova kaloi nga sulmi terrorist në veri.
Ozdemir shtoi se është e rëndësishme që të flitet për komunitetin serb, por brenda kufijve të Kosovës.
Këto komente ai i bëri pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Bujqësisë së Kosovës, Faton Peci.
“Më leni të shpreh ngushëllimet e mija për humbjen e policit gjatë sulmeve terroriste dhe më lejoni ta shpreh një respekt të thellë për veprimet e matura të Qeverisë dhe Policisë suaj”.
“E di se një situatë nuk është e lehtë. Vizita ime është edhe një shenjë solidarizimi me shtetin e Kosovës”.
Ai ka përgëzuar ministrin Peci dhe ministrinë e tij për punën që ka bërë, ndërsa ka thënë se vendi i Kosovës është në BE.
“Është e rëndësishme që rruga përpara të jete drejt paqes, ku respektohen kufijtë e Kosovës. Normalisht që është e rëndësishme që të flitet për komunitetin serb, por brenda kufijve të Kosovës”.
“Gjermania është miku juaj”, ka përfunduar Ozdemir.
Ndërsa, ministri Peci, ka thënë se Gjermania është një mik i madh I Kosovës që e ka përkrahur atë që nga viti 90 dhe se vizita e ministrit gjerman ka peshë të madhe pas sulmit në veri.
“Gjermania është një mik I madh I Kosovës që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha iniciativat që nga viti 90”.
“Bashkë me ministrin, kemi vizituar një numër të madh fermerësh, vreshtarësh në rajonin e Dukagjinit”.
“Si për koincidencë, njërin prej bashkëpunimeve me shtetin gjerman, një marrëveshje ndërkombëtare do ta kemi si rend. Një projekt prej 20 milionë eurosh për zhvillimin rural”.
“Vizita e tij ka edhe një peshë më të madhe pas situatës së vështirë të Kosovës”, ka thënë Peci.