Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha sot se Gjermania e ka mposhtur me sukses dhe me rezultate të mira pandeminë e COVID-19.
“Pandemia e COVID-19 ka mbaruar në Gjermani”, tha të mërkurën ministri, duke shtuar se ai doli në këto konkluzione bazuar në një vlerësim të varianteve të virusit, normave të vaksinimit dhe rasteve spitalore, shkruan Euronews.
“Ne e tejkaluam me sukses pandeminë në Gjermani dhe me një ekuilibër të mirë”, shtoi Lauterbach, i cili është një epidemiolog.
Ministri tha se strategjia gjermane në tërësi ka pasur sukses dhe se sfidat e pandemisë janë tejkaluar.
Mirëpo, siç vlerësoi ai, ka disa gjëra që, duke u kthyer pas, është dashur të bëheshin ndryshe, siç ishte mbyllja e shkollave për një kohë më të gjatë se e nevojshmja./PrishtinaPress/