Me këtë rast ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se prezantimi i Stadiumit Kombëtar është një ditë e veçantë duke e cilësuar këtë projekt kapital si më i madhi sa i përket investimeve në historinë e vendit tonë.
“Ky ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve të mia dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ka qenë një periudhë jo e lehtë deri te kjo ditë dhe besoj ia kemi arritur që ta kemi një projekt që i plotëson kushtet dhe nevojat për sportistët, veçanërisht për futbollin tonë”, u shpreh ministri Gashi.
Ai po ashtu njoftoi se ky stadium do të ndërtohet afër aeroportit “Adem Jashari”.
“Është në mes të komunave të mesit të Kosovës, afër Prishtinës, Prizrenit, Pejës e Gjakovës dhe e lidh tërë territorin e Kosovës pemës autostradës. Çështja e lokacionit ka qenë një vendim ka qenë një vendim i drejtë dhe tashmë ka mbetur një etapë tjetër, ajo e ndërtimit”, theksoi ai.
Në këtë prezantim u theksua se Stadiumi Kombëtar është projektuar në bazë të kritereve dhe standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s. Kapaciteti i tij arrin ti ketë mbi 30 mijë ulëse dhe do të jetë i përgatitur edhe për lojëra ndërkombëtare. Gjithashtu stadiumi do të ketë një kompleks madhor i cili përfshinë fusha ndihmëse, konvikt për sportistët, hotel dhe parking të mjaftueshëm.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha: “Me ato projeksionet që i mendon ministri, pa përkushtimin e tij nuk do të mund ta bënim këtë projekt. Kosova duhet ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan dhe ky duhet të ndërtohet”.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës, Agim Ademi, u shpreh shumë falënderues ndaj Ministrisë dhe Qeverisë së Kosovës për punë që po bëhet për sportin duke përmendur fillimin e renovimeve të të gjitha stadiumeve, projektin me 12 fusha sintetike dhe tashmë edhe Stadiumin Kombëtar të cilin ai e cilësoi si kupolla e infrastrukturës së futbollit.
“Më vjen shumë mirë që ky stadium po bëhet në këtë kohë jo vetëm për futbollistët por edhe për publikun tonë”, tha në fund Ademi.