1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Ministri Demolli: Besojmë se Thaçi është koordinuar me partnerët ndërkombëtar

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli në një intervistë për lajmi.net ka thënë se beson që presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka bashkërenditur veprimet me partnerët ndërkombëtar për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai ka shprehur bindjen se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe partnerët tjerë nuk do të luhaten pas veprimeve të fundit të institucioneve të Kosovës.  Më tej, Demolli ka thënë se Ministria që ai drejton ka punuar shumë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, prandaj ka thënë se do e mbështet edhe ndryshimin e ligjit përmes të cilit FSK merr mision ushtarak.

Në këtë intervistë, Demolli ka sqaruar edhe procedurat deri në miratimin e ligjit për FSK-së. Ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor, por ka thënë se fillimisht ligji duhet të shqyrtohet nga tri Ministritë përkatëse, pastaj duhet të miratohet nga Qeveria në mënyrë që të procedohet në Kuvend, ku pas shqyrtimit në komisionit përkatëse mundë të del në seancë për miratim.

Lajmi.net: Çfarë mund të na thoni për veprimet e fundit për formimin e Ushtrisë?

Demolli: Presidenti i vendit, që njëherit është edhe komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës konform kompetencave që japin dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës, ka iniciuar aprovimin e ligjit, përmes të cilit FSK-së do t’i zgjerohet misioni, respektivisht mandati  dhe do të shndërrohet në Ushtri.

Unë si ministër dhe Qeveria e Kosovës dihet se kemi pasur prioritet shndërrimin e FSK-së, në Forcë të Armatosur, respektivisht në Ushtri, prandaj edhe e përkrahim një iniciativë të tillë. Sepse për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë Ushtri, pasi si Ministri e FSK-së kemi punuar jashtëzakonisht shumë, kemi bërë përgatitjet, kemi bërë planet, kemi bërë takime të ndryshme, kemi caktuar takime me deputetët e të gjitha komuniteteve me qëllim që të bëhet ky transformim. Prandaj pavarësisht se kush është iniciues i ligjit, a është Qeveria, a është Ministria apo presidenti i vendit, ne e përkrahim iniciativën e tillë në mënyrë që të kemi ushtrinë tonë.

Lajmi.net: Sa është e rëndësishme që të koordinohemi për veprimet e mëtutjeshme me partnerët strategjik, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n?

Demolli: Po ju e dëgjuat dje presidentin e vendit, Hashim Thaçin në një konferencë për media, ku tha se të gjitha veprimet janë ndërmarr në koordinim me NATO-n partnerët strategjikë. Prandaj ne si Ministri e FSK-së. Besojmë në vlerësimet veprimet dhe deklarimet e tij. Prandaj siç e thash edhe më parë, ne gjithsesi do ta përkrahim transformimin e FSK-së, respektivisht fitimin e misionit të saj ushtarak në të ardhmen, me qëllim që të jetë e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Lajmi.net: A mund të ndikoj kjo çështje që të dëmtohen raportet me partnerët ndërkombëtarë, pasi ka pas reagime?

Demolli: Presidenti tha se i ka bashkërenduar të gjitha veprimet me faktorin strategjik ndërkombëtar, respektivisht me të gjithë partnerët strategjik të FSK-së. Unë besoj se nuk do të ketë luhatje të marrëdhënieve me partnerët tanë.

Lajmi.net: A mund të flitet me data se ku do të miratohet ky ligj nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi?

Demolli: Sa i përket datave unë vetëm do të theksoja se ekzistojnë procedurat e parapara me ligj. Tani për tani, dihet se presidenti ia ka dorëzuar ligjin kryetarit të Kuvendit, ndërsa dje Kryesia e Kuvendit e ka diskutuar dhe unanimisht është vendosur që ky ligj t’i përcillet Qeverisë së Kosovës. Kurse tani Qeveria do të ndërmerr veprimet e veta konkrete duke ua përcjellë tri Ministrive përkatëse, asaj të FSK-së, Ministrisë së Integrimeve dhe Ministrisë së Financave, me qëllim që këto tri Ministri të kryejnë punën e tyre sa i përket ligjit. Pastaj ne do të themelojmë grupet punuese përkatëse që edhe njëherë ta rishqyrtojnë ligjin dhe më pas  i dërgohet Qeverisë për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës, ku edhe komisionit përkatëse duhet ta shqyrtojnë sipas afateve të caktuara para se të del për votim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img