Vizita e para pak ditëve e një delegacioni të UEFA-s dhe FIFA-s në Kosovë nuk e kishte prioritet kryesor tema rreth procesit të licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga ana e Ministrisë së Sportit, proces i që vazhdon të mbetet ende i papërfunduar.
Sipas ministrit të sportit, Hajrulla Çeku, tema e moslicencimit të FFK-së ishte e dyta për nga rëndësia.
Sipas ministrit, ardhja e mysafirëve nga UEFA e FIFA kishte të bënte kryesisht me hetimet që njësia policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit po i zhvillon në FFK, respektivisht mbi drejtuesit e saj, me mbi drejtuesit e saj, me ç’rast kryetari Agim Ademi për gati një muaj ishte në arrest shtëpiak, kurse zyrtarë tjerë të lartë janë intervistuar nga policia, e cila po i vazhdon hetimet.
“Vizita e tyre kishte të bënte kryesisht me situatën e fundit, në lidhje me procesin që po zhvillohet ndaj kryetarit të federatës, zotëri Ademi”, ka thënë ministri Çeku mbrëmë në një emision televiziv.
Madje, ministri Çeku ka treguar se zyrtarët e UEFA-s dhe FIFA-s nuk kishin kurrfarë vërejtje apo kundërshtimi në procesin ministror të licencimit të FFK-së.
“Njëkohësisht pjesë e agjendës së tyre ka qenë edhe informimi në lidhje me procesin e licencimit të FFK-së. Unë e kam pritur këtë delegacion në zyrën time. Iu kam ofruar hollësi rreth këtij procesi, dhe natyrisht ata kanë qenë shumë dakord me mënyrën qysh po zhvillohet ky proces. Nuk është asgjë jashtë parimeve që ata vetë i promovojnë kur fitet për integritet dhe qeverisje të mirë sportive brenda organizatave”, tregoi Çeku.
Para vizitës në Ministrinë e Sportit, ky delegacion i UEFA-s e FIFA-s e kishte vizituar FFK-në, ku ishin pritur nga nënkryetari Bakir Burri dhe sekretari Taulant Hodaj, në mungesë të kryetarit Agim Ademi që ishte në arrest shtëpiak.
FFK-ja në komunikatë vizitën e këtij delegacioni e kishte lidhur vetëm me temën rreth moslicencimit të FFK-së nga Ministria e Sportit.
“Delegacioni i përbashkët i UEFA-s dhe FIFA-s po qëndron sot për vizitë të jashtëzakonshme në Kosovë, për t’u njoftuar nga afër me zhvillimet e fundit rreth FFK-së, procesin e licencimit nga MKRS dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen klubet e futbollit. Delegacioni fillimisht u takua me nënkryetarin Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, derisa më pas zhvilluan një takim të përbashkët edhe me përfaqësuesit e klubeve, për të diskutuar shqetësimet e këtyre të fundit në lidhje me procesin e licencimit dhe vështirësitë që po i hasin gjatë këtij procesi. Përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s i dëgjuan me vëmendje të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e klubeve, premtuan se do t’i adresojnë ato në organet kompetente dhe me angazhimin e përbashkët të të gjitha palëve shumë shpejt mund të ketë rezultate pozitive në këtë drejtim”, thuhej në njoftimin e FFK-së më 17 prill./PrishtinaPress/