Site icon PrishtinaPress

Ministri britanik: Kosova dhe Serbia të punojnë bashkë për t’i sjellë para drejtësisë autorët e sulmit

Ministri britanik për Çështjet Europiane, Leo Docherty, ka qëndruar sot në Serbi në kuadër të një vizite në rajon.

Ai pati takime dypalëshe me ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq dhe ministren e Integrimeve Europiane, Tanja Mishçeviq.

Në njoftimin e ambasadës britanike në Beograd thuhet se Docherty ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës dhe i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë, raporton Express.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe u bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të punojnë së bashku për t’i sjellë autorët para drejtësisë”, tha ministri britanik.

“Ngjarjet e 24 shtatorit paraqesin rreziqe reale për stabilitetin rajonal. Ato burojnë nga grumbullimi i pakontrolluar i armëve dhe dështimi për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, qëllimi i të cilit është që të gjitha komunitetet të ndjehen të qetë dhe të sigurt. Ministri Dockerty i bëri thirrje Serbisë që të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të dekurajuar dhunën e mëtejshme, si dhe të përmbahet nga çdo lëvizje apo retorikë që do të komplikonte kthimin në dialog nën kujdesin e Bashkimit Europian. Mbretëria e Bashkuar inkurajon Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë me përgjegjësi dhe të kthehen në procesin e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja si çështje urgjente dhe në mirëbesim”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.

Ai u takua edhe me përfaqësues të kompanive britanike aktive në Serbi, si dhe me deputetë, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Serbisë.

Exit mobile version