Site icon PrishtinaPress

Ministri Berisha: 200 serbë do të punësohen në Ushtrinë e Kosovës

Në momentin kur do të ndodhë transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, minimum edhe 200 serbë do të punësohen në Ushtri të Kosovës. Kështu ka thënë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Ai ka shtuar se kjo gjë është mjaft pozitive për komunitetin e serbëve të Kosovës, pasi që siç tha ai mbi 200 familje do të kenë mundësi që të marrin pagë.

Për të, kjo duhet të jetë edhe njëri ndër indikacionet kryesore që Lista Serbe, duhet të ndryshojë mendje për ta mbështetur transformimin e FSK-së.

“Ne tani jemi duke i përbërë përpjekjet tona që edhe Lista Serbe të jetë pjesë e tranformimiit. Transformimi i FSK-së do t’i prek edhe komunitetin serb, pasi që do të punësohen minimum 200 pjestarë të rinj dhe kjo nuk është pak. Kjo tregon që edhe serbët e Kosovës do të përfitojnë nga ky transformim. Edhe faktori ndërkombëtar është duke dhënë kontributin e tyre për shndrrimin e Listës Serbe dhe po i presim rezultatet”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, është duke u tentuar që të bëhet me ndryshime kushtetuese. E formimi i saj përmes ndryshimit të Kushtetutës, do të duhej ta ketë përkrahjen e deputetëve të Listës Serbe, për shkak se ndryshimet kushtetuese në Kosovë, nuk mund të bëhen pa pajtimin e komunitetit serb.

Deri më tani, zyrtarët e kësaj partie, kanë deklaruar se me asnjë kusht nuk do e pranojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës, dhe sipas deklarimit të tyre, formimi i saj është i rrezikshëm për serbët e Kosovës.

Kurse, javëve në vazhdim, pritet që të fillojnë procedurat për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, që do të jenë hapat e parë për shndërrimin e saj në Ushtri.

Exit mobile version