Site icon PrishtinaPress

Ministri anglez i Drejtësisë: Kemi nisur transferimin e të burgosurve shqiptarë

Ministri i Drejtësisë në Britaninë e Madhe, Alex Chalk ka shprehur shqetësimin se si burgjet angleze janë mbushur me shtetas të huaj.

Kostoja vjetore thotë ai për një të burgosur është 47.000 stërlina në vit. Shqetësimin e lidh me numrin e lartë të shqiptarëve në burgjet angleze dhe marrëveshjen për transferimin e 200 të burgosurve shqiptarë që vuajnë mbi 4 vite burg.

Ministri Chalk në intervistën e tij për “Daily Telegraph” ka pranuar nisjen e transferimit të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze drejt atyre shqiptare.

I pari i transferuar përmes kësaj skeme ishte një trafikant shumë serioz në trafikun e drogës i dënuar me 17 vite burg”, ka deklaruar ministri Chalk.

Këtë transferim të parë e raportoi Top Channel të Dielën. Bëhet fjalë për një shqiptar të dënuar nga një gjykatë e Londrës, për trafik kokaine në vitin 2017 me 17 vite burg. Ai prej disa javësh, po vuan vitet e mbetura në një burg të sigurisë së lartë në Jug-Lindje të Shqipërisë. Për llogari të një prej tre familjeve kriminale në Elbasan, ai drejtonte në Londër një organizatë kriminale e përshirë në trafik kokaine me vlerë 150 milion stërlina.

Deri më tani kanë shprehur interes të transferohen në Shqipëri 80 shqiptarë prej 1330 që vuajnë dënime në burgjet angleze.

Exit mobile version