Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka ripërsëritur se Kosova është projekt i përkohshëm dhe pa identitet të plotë, sepse sipas tij Kosova ende është në pasiguri me vetveten me një identitet multietnik. Ai vlerëson se bashkimi i shqiptarëve në një shtet krijon stabilitet.
“Kosova është nën kërcënim të vazhdueshëm nga Serbia, dhe po të mos ishte rreziku nga Serbia edhe nuk do ta shihja Kosovën si projekt të përkohshëm”, tha Aliu.
Ai theksoi se bashkimi i shqiptarëve do të sillte stabilitet sepse sipas tij Kosova nuk mund të bazohet në prezencën e KFOR-it.
“Kur flasim për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme ne nuk mund të bazohemi në prezencën e KFOR-it sot, sepse nuk dihet si do të shkojnë punët, dhe me rrezikun nga Serbia zgjidhja më e mirë dhe me siguri për stabilitet është bashkimi”, deklaroi Aliu.
Sipas tij, derisa Serbia instrumentalizon serbët e Kosovës për qëllime të veta, atëherë shoqëria jonë nuk do të jetë multietnike, por “multietnikoserbe”.
“Synimi i Zajednicës është që brenda komunave serbe të jetë shoqëri njëetnike, pra serbe, kurse jashtë tyre shoqëri multietnike dhe serbe”, u shpreh Aliu për RTK.
Gjithashtu, ministri tha se shoqëri multietnike dhe Asociacion nuk mund të ketë.