Site icon PrishtinaPress

Ministri Aliu: Mundësitë që të importojmë energji është zor me i gjetë

Ministri i Ambientit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu sonte është pyetur për shumë çështje në debat duke filluar nga kriza energjetike nëpër të cilën po kalon Kosova këto ditë.

Ministri Aliu ka thënë se shkak i kësaj krize në vend me energjinë elektrike është kriza gjithandej Evropës.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Evropë ka ardhur si shkak I kërkesës së madhe dhe rritjes së temperaturave. Tek ne kjo është më e vërejtshme, sepse linja me Serbinë nuk funksionin, kurse ajo me Shqipërinë është e papërballueshme”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, në këtë kohë rrymën duhet paguar shumë shtrenjtë dhe është zor të gjendet në tregjet evropiane.

I pyetur se a i ka bërë përgatitjet e duhura Qeveria pas paralajmërimeve të mëhershme për krizën energjetike, Aliu tha se ata kanë qenë të vetëdijshëm dhe se po bëjnë përpjekje për evitimin sa më parë të krizës.

“Njëri bllok i termocentalit Kosova B ka dalë jashtë funskionit dhe pa gjenerimin e këtij blloku kapacitetet tona energjetike janë të vogla. Kërkesa për rrymë është shumë e madhe sivjet se në vitet e kaluara. Kjo kërkesë mbase ka të bëjë me ndërtimet e reja, shfrytëzuesit e rinj, teknologjitë e reja, etj. Mbase ky është edhe zhvillim ekonomik”, ka shtuar tutje ai.

Ministri Aliu ka thënë se vështirësitë në import të rrymës e kanë sjellë, ndër tjerash, edhe këtë gjendje. “Krejt çka duhet të bëjmë është të punojmë shumë që sa më shpejt të kthejmë në përdorim bllokun e Kosovës B. Duhet shikuar mundësitë që të importojmë energji dhe është zor me e gjetë se të gjitha kanë kërkesa të mëdha në këtë kohë”, tha Aliu.

Sipas tij, ka shpresë që kjo gjendje mos të zgjasë shumë, duke shtuar, se Qeveria është duke bërë përpjekje maksimale.

Exit mobile version