Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka konfirmuar se është pezulluar kontrata për imponimin e një takse shtesë në vlerë prej pesë euro për automjetet, e cila nxiti reagime të ashpra ndaj qeverisë javën e kaluar.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ministri Aliu u shpreh se do të rishikohet procesi i vendosjes së taksës shtesë prej pesë euro për tiketat ngjitëse për automjetet.
Sipas Aliut, qytetarët nuk do të paguajnë taksën shtesë prej pesë eurove.
“Ju njoftoj se sot është pezulluar vendimi për taksën pesë euro për tiketa ngjitëse. Do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën se si ka ardhur deri tek ky vendim; pra, prej interpretimeve të ndryshme ligjore, e të gjitha me radhë deri tek momenti i nënshkrimit. Çka mund të sigurojë, është se qytetarët nuk do të paguajnë pesë euro”, tha ministri Aliu.
Fjalimit të ministrit i pasoi një koment i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e mirëpriti njoftimin e Aliut.
“Shumë bukur kjo”, komentoi kryeparlamentari Konjufca për vendimin e qeverisë lidhur me pezullimin e vendimit që i shtonte një taksë të re qytetarëve.
Para njoftimit të ministrit në kuvend, zëvëndësi i tij, Hysen Durmishi tha se ka marrë vendim që të pezullojë marrëveshjen për tiketa ngjitëse në automjete, deri në marrjen e një vendimi tjetër përfundimtar për këtë çështje.
Ai, përmes një shkrimi në Facebook, tha se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.