Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi, është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ku janë diskutuar projektet infrastrukturore në këtë komunë.
Ministri Abrashi tha se projektet do të vazhdohen në këtë komunë bazuar në memorandumin e bashkëpunimit që është nënshkruar në mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
“Bashkë me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, u zotuam për investime të mëtutjeshme në Gjilan dhe në Anamoravë. Ajo çka mund të them është se projektet infrastrukturore në Gjilan do të trajtohen me prioritet, ashtu siç edhe e kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, ku përfshihen shumë projekte si: Asfaltimi i rrugës në Përlepnicë, Asfaltimi i rrugës ‘Skifter Arifi’, asfaltimi i rrugës së qytetit ‘Enver Miftari, ndërtimi i rrugës së Kumanovës me kyçje në rrugën e Zhegrës, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës ‘Dobërqan-Pogragjë-Stublime’, asfaltimi i rrugëve të qytetit, asfaltimi i rrugës ‘7 Shtatori’, etj”, tha Abrashi.
Ministri bëri të ditur se do të investohet edhe në zgjerimin e rrugëve ekzistuese dhe asfaltimin e atyre të reja.
Ndërsa kryetari i Gjilanit, tha se Ministria e Infrastrukturës është partneri më i madh në qeveri, duke shtuar se investimi në infrastrukturën e Anamoravës ka impakt në gjithë lindjen e Kosovës si pozicion gjeografik.
Bashkë me kryetarin, ministri Abrashi vizitoi disa prej punishteve të cilat tanimë janë në procedurë ndërtuese: Bulevardin “Ibrahim Rugova”, Rrugën e Bujanocit dhe Rrugën e Kumanovës.
Duke parë për së afërmi zhvillimin e punimeve në këto pjesë, ministri Abrashi tha se këto investime po i ofrojnë Komunës së Gjilanit edhe zhvillim ekonomik dhe lidhje më të mirë në mes qyteteve.