Site icon PrishtinaPress

Ministrat e Kurtit i vërsulen Prokurorisë së Shtetit, pas Hajdarit e Pecit edhe Haxhiu del me video

Prokuroria e Shtetit ka vënë në pranga Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si të dyshuar për aferën me rezervat shtetërore. Pas një aksioni të tillë të organit të hetuesisë, s’kanë munguar sulmet e pushtetit ndaj Prokurorisë, pa përjashtuar këtu as kryeministrin Albin Kurti.

Ndërkohë vërehet një organizim i ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët i janë vërsulur Prokurorisë së Shtetit duke e akuzuar këtë institucion se nuk po merret me rastet që këta vetë i kanë denoncuar.

Ka qenë e para ministrja Rozeta Hajdari e cila ka realizuar një video, teksa flet për ish-ministrin Vesel Krasniqi, e të cilin e akuzon se ka krijuar monopol në fushën e kontrollit të cilësisë së karburanteve në Kosovë.

Hajdari në video thotë se edhe përkundër “argumenteve” të ofruara, Prokuroria e Shtetit s’ka ndërmarrë asgjë.

“Janë bërë më shumë se dy vite, prej kur kemi parandaluar një keqpërdorim multimilionësh dhe kemi dorëzuar kallëzimin penal .

Ka kaluar po aq kohë dhe askush nuk është thirrur në përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ministrja Hajdari më 21 gusht.

Pas ministres Hajdari, video në profilin e tij në ‘facebook’ ka publikuar edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Peci është shfaqur nga fshati Stankaj në Pejë, ku thotë se janë ndërtuar villa në pronën e Institutit Bujqësor. Peci ka akuzuar se edhe përkundër denoncimit, shteti s’ka bërë asgjë.

Para pak minutash, një video të ngjashme ku sulmohet Prokuroria e Shtetit është publikuar edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ministrja e Drejtësisë në video flet për një pronë që sipas saj i takon Ministrisë që drejton, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik. Haxhiu thotë se nga të gjeturat e auditorit, është gjetur se kontrata është lidhur jashtëligjshëm.

“Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka shkruar Haxhiu, duke akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedan të rrezikshëm, meqë s’e konsideron vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.

Haxhiu ka thënë se në Prokurori kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që s’është marrë asnjë hap.

 

 

Exit mobile version