1.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Minatorët pa dorëza e pa çizme në minierën e Trepçës

“Gjysma e punëtorëve i kanë të thyera helmetat…”. “Çizmet i blejmë vetë…”. “As doreza, as rroba nuk kemi marrë”…

Kjo është gjendja e disa punëtorëve në kombinatin metalurgjik Trepça, sipas Agim Rullanit, mbikëqyrës i minatorëve në horizontin e 10-të të kësaj miniere.

Mungesat, sipas tij, janë bërë më të theksuara në tre muajt e fundit, por ai nuk flet për arsyet.

Nga ndërmarrja, që dikur ka qenë motor i ekonomisë së Kosovës dhe më gjerë, punëtorët marrin vetëm disa mjete.

“Llambën ndriçuese dhe helmetën”, thotë Liridon Hajdari, i cili që 12 vjet punon në minierë.

“Helmeta është më e fortë dhe blihet më rrallë. Të tjerat… me çizme, me rroba, me doreza i sigurojmë vetë. Ne nuk duhet t’i blejmë, por nuk ka. Dhe, më mirë t’i blesh vetë sesa të punosh pa to”, thotë ai.

Pajisjet personale nuk janë problemi i vetëm për minatorët, që shpesh iu duhet të futen deri në 800 metra nën sipërfaqen e tokës.

Edhe mjetet e punës janë shumë të vjetruara, thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

“Shkaku i mungesës se investimeve kapitale dhe investimeve në mjetet e punës, minatorët gjenden në situatë të vështirë dhe kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rënda”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Udhëheqësia e kombinatit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me mungesat e pajisjeve personale dhe të mjeteve për minatorë.

Kombinati metalurgjik Trepça gjendet në Mitrovicë, me sektorë që shtrihen në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Ai numëron rreth 1.300 punëtorë.

Produkte kryesore të minierave të tij janë: koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe mineraleve të tjera.

“Pështyjmë zi”

Hajdari, i cili punon si xehetar në horizontin e 11-të të minierës, nuk është i kënaqur as me pagën që merr.

Ai paguhet rreth 750 euro në muaj dhe thotë se kjo shumë është e padinjitetshme në raport me vështirësitë që i ka puna.

“Në hapësirën ku punoj, ajri është shumë i rëndë, ka shumë gazra, që formohen nga tymi, pluhuri dhe lagështia. Ne, kur e përfundojmë punën dhe dalim mbi sipërfaqe, pështyjmë zi. Unë nuk pi cigare, merrem edhe me sport, por, prapë, ngjyra e lëngut të pështymës është e zezë”, thotë 33-vjeçari.

Jonuzi, nga Sindikata e Minatorëve, thotë se gjendjen e punonjësve në këtë aspekt e vështirëson edhe inflacioni i lartë, që ka goditur Kosovën për më shumë se një vit.

“Më herët, paga ka qenë më e mirë, por duke marrë parasysh rritjen e inflacionit dhe të çmimeve, paga e minatorëve është e pamjaftueshme”, thotë ai.

Për më tepër, shton Jonuzi, minatorët preken shpesh edhe nga sëmundje që u shkakton profesioni dhe ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.

Këtë javë, Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e një punëtori në ambientet e kombinatit Trepça.

Hetuesit policorë, me autorizim të prokurorit, janë duke bërë hetime për identifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të rastit, por ende nuk ka ndonjë informacion në lidhje me të.

Kohë pas kohe ka edhe incidente të natyrës teknike. Në fund të shtatorit të kaluar, për shkak të një defekti me energji elektrike në minierën e Stantërgut – pjesë e Trepçës – mbi 120 punëtorë kanë mbetur të ngujuar për një kohë në thellësi mbi 800 metra nën tokë.

Edhe “pension diskriminues”

Por, sipas Jonuzit, diskriminimi më i madh që u bëhet minatorëve ndodh pas daljes në pension.

Shumica prej tyre marrin pension prej 100 eurosh në muaj, pasi nuk e kanë të regjistruar gjithë përvojën e kërkuar të punës – sidomos gjatë viteve ’90, kur Kosova ishte nën masa të dhunshme të regjimit të atëhershëm të Serbisë.

Përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor janë kritere kryesore për kategorizimin e shkallës së pensionistëve në Kosovë.

Sipas Ligjit për Skemat Pensionale, të drejtën në pension kontribut-pagues në Kosovë e kanë personat që kanë arritur moshën 65-vjeçare dhe kanë së paku 15 vjet stazh pune, para vitit 1999.
Jonuzi thotë se shumica e minatorëve, para luftës së viteve 1998/99, kanë pasur përvojë pune deri në nëntë vjet.

Dhe, kjo është arsyeja që minatorët përfundojnë me pension të pleqërisë, që është rreth 100 euro në muaj.

Pavarësisht se punon nga viti 1981, Agim Rullani, 60 vjeç, do të dalë në pension edhe pesë vjet me vetëm 100 euro në muaj.

“Unë nuk i kam 15 vjet përvojë pune para luftës. Kam filluar punën në vitin 1981, por në vitin 1990 masat e dhunshme të Serbisë na larguan nga puna. Këta nëntë vjet të largimit nuk na njihen si stazh. Kështu që kam vetëm nëntë vjet përvojë, që nuk ma mundësojnë pensionin kontribut-pagues. Me 100 euro dal në pension”, thotë Rullani.

Një historik i shkurtër i Trepçës

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20.000 punëtorë, ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Por, Trepçën e kanë përcjellë probleme edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Makineritë e vjetruara mbi 50 vjet dhe mungesa e mirëmbajtjes janë shndërruar në probleme të vazhdueshme.

Trepça pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Ky fond pritet t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre.

Ligji për Fondin Sovran pritet të miratohet brenda këtij viti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img