Minatorët e Trepçës kanë marrë vendim për të organizuar protestë siç thuhet paqësore për shprehjen e pakënaqësive, për padrejtësitë e vazhdueshme që tashme janë bërë të ditura, pra mosrealizimi i pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj.
Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës thuhet se protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me date 15 gusht nga ora 12:00.
“Marshimi do të filloje nga sheshi Zahir Pajaziti-Prishtine, deri pran objektit të Qeverise së Republikës së Kosovës. Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguar për gati tre muaj”, thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.
Më tej thuhet se: ”Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistencë, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojes për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik.
Po bëhen më shumë se dy muaj që kur minatorët e ndërmarrjes publike Trepça në Stan Tërg nuk i kanë marrë pagat për muajin qershor dhe korrik.
Lidhur me zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”, ka reaguar Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit shprehet se është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen “Trepça” si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Megjithatë, nuk ka përmend konkretisht edhe çështjen e mos realizimit të pagave, ose zgjidhjen e kërkesave të minatorëve.