Historiani Paskal Milo tha se veprimet e autoriteteve kosovare në 4 komunat në veri dhe përplasjet me serbët aty, mund të jenë bërë me qëllim nga kryeministri Albin Kurti për shkak të situatës së vështirë ku ai ndodhet.
Sipas historianit, Kurti nuk i shpëton dot kohës dhe përgjegjësisë për të paraqitur te ndërkombëtarët një plan për Asocacionin.
Milo thekson se çdo plan që ai të paraqesë për Asocacionin, nuk do të mund të kënaq ndërkombëtarët, por do të shkaktojë dhe pakënaqësi në Kosovë. Dhe në këto kushte sipas tij, kryeministri i Kosovës po luan me zjarrin.
“Për të fituar unë nuk besoj se mund të fitojë ndonjë gjë Kurti, përveç një mbështetje të simpatizantëve të partisë së tij dhe atyre shtresave të popullsisë së Kosovës që e kërkojnë ballafaqimin e që operojnë me tezat kombëtariste, pa vënë në peshore interesin kombëtar të të gjithë Kosovës. Tani atij i duhet kjo mbështetje pasi ndodhet përpara një vendimarrje delikate. Ai nuk i shpëton dot kohës dhe përgjegjësisë për të dhënë variantin e tij për Asociaconin. Madje pritej këto ditë që ai të dorëzonte variantin e qeverisë së Kosovës për Asocacionin. Mirëpo në cilindo variant që ai të dorëzojë te ndërkombëtarët kuptohet se ajo do të jetë thikë me dy presa, pasi nuk do të jetë në përputhje me atë që duan perëndimorët të shikojnë nga Kurti që të bëjë dhe e dyta çfarëdo që të bëj do të ngjallë pakënaqësi për Asocacionin në Kosovë. Kurti luan politikisht por luan dhe me zjarrin. Nuk dihet se ç’rrugë merr situatë. Ngjarjet janë të atilla që kemi një ritensionim të situatës, qoftë në planin e brendshëm, në stabilitetin e tërë vendit, qoftë në planin ndërkombëtar, pasi shtohen dhe pikëpyetjet prapa emrit të Kurtit. Për mënyrën si ai e bën politikën dhe sa ai është i besueshëm në marëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në politikë ka ulje dhe ngritje dhe asnjëherë nuk ka një qëndrueshmëri afatgjatë”, tha Milo. /Euronews/