1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Militant i partisë në pushtet”, PDK dhe LDK kritikojnë ashpër emërimin e Rilind Gërvallës si drejtor i RTK-së

Rilind Gërvalla ka reaguar pas zgjedhjes drejtor i televizionit publik të Kosovës.

Ai ka thënë se ka 23 vjet përvojë në RTK dhe se kështë hera e pestë radhazi që konkurron për këtë detyrë.

“Pas një maratone prej 23 vitesh në Radio Televizionin e Kosovës si gazetar, drejtues redaksie i lajmeve ndërkombetare dhe këmbimit të lajmeve në ndërlidhje të RTK-së me organizatat dhe televizionet publike evropiane, sot pas 5 herë radhazi konkurimi të njëpasnjëshëm, u zgjodha Drejtor i Televizionit të RTK-së”, ka shkruar ai në Facebook, të martën.

Gërvalla po cilësohet të jetë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet – dhe ka zëra që televizioni publik tashmë është i kapur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë akuzuar Qeverinë se kanë kapur televizionin publik.

Pëmes një komunikate për media, PDK e ka quajtur drejtorin e porsazgjedhur militant të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës. Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, me Gërvallën në krye, televizioni publik shndërrohet në televizion publik megafon të kryeministrit Albin Kurti, “ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak”.

“Nëpërmjet kapjes së Radio Televizionit Publik të Kosovës me militantë partiak; pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti. Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s’ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij. As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk arritën ta ndalin hovin e projektit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për kapjen e RTK-së”, vijon reagimi i tyre.

PDK-ja ka vlerësuar se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

Ndërkohë, LDK-ja ka dalë me një reagim publik duke deklaruar se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip të RTK-së, përbën kapje të plotë të transmetuesit publik.

LDK-ja ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes për drejtor të RTK-së për kanalet shqip të anulohet menjëherë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit. Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur.

“Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.

LDK-ja ka paralajmëruar se do ta ngre temën e kapjes së institucionit të televizionit publik në Komisionin përkatës parlamentar të Kuvendit.

Zgjedhjen e Gërvallës e kritikoi edhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Ajo tha se kjo është kapje e pjesës informative në RTK.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img