Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ftesë të Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al-Thani, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, po qëndron në vizitë në Katar, për të marrë pjesë në Panairin “Milipol 2022”.
Në shoqërim të Kryeministrit të Katarit dhe të ministrave e zyrtarëve të tjerë nga vende të tjera, ministri Sveçla ka marrë pjesë në inaugurimin e Panairit “Milipol 2022”, ku është njoftuar për pajisjet e teknologjinë e fundit në fushën e sigurisë.
Gjatë takimit me drejtorin e Sigurisë Publike, gjeneral major Saad bin Jassim Al Khulaifi, ministri Sveçla ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe të Katarit. Në këtë kuadër, është arritur pajtimi që dy palët të shkëmbejnë vizitat dhe të fuqizojnë bashkëpunim në çdo fushë, me theks të veçantë në sektorët që kanë të bëjnë me sigurinë publike.
Gjatë qëndrimit në Doha, ministri Sveçla ka vizituar edhe Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, Institutin e Policisë, Qendrën e Forcës së Sigurisë së Brendshme (Lekhëiya) dhe Qendrën e Mbrojtjes Civile.
Gjatë vizitës në Qendrën Komanduese Kombëtare (NCC), ministri Sveçla është pritur nga brigadieri Khalifa Abdullah Al Nuaimi, i cili e ka njoftuar për detyrat dhe rolin e kësaj qendre. Gjithashtu, ministri Sveçla është njoftuar me sistemet e teknologjitë e fundit që përdor kjo qendër dhe me përgatitjet e saj për të siguruar mbarëvajtjen e Kupës së Botës FIFA 2022, që këtë vit mbahet në Katar.
Në Institutin e Policisë së Katarit, ministri Sveçla është pritur nga drejtori Nënkolonel Ali Saud Al-Hanzab, i cili e ka njoftuar me programet që ofron ky kolegj për përgatitjen e kuadrove të përgatitur në aspektin shkencor e praktik për të kryer detyrat e tyre si pjesë e Policisë. Ndërsa, drejtori i Qendrës së Sigurisë Kibernetike, Abdulrahman Ali Al Farahid Al Maliki, e ka njoftuar ministrin Sveçla dhe delegacionin që e shoqëronin me funksionimin e kësaj qendre.
Në vizitën që e ka bërë ministri Sveçla në Forcën e Sigurisë së Brendshme (Lekhëiya) dhe në Qendrën e Mbrojtjes Civile, ai është njoftuar me mënyrë e funksionimit, detyrat e përgjegjësitë, si dhe me pajisjet e teknologjinë që përdorin. Gjithashtu, janë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Katarit.