Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kompania të cilën e kanë autorizuar dy ministritë, ajo e Tregtisë dhe e Infrastrukturës, nuk i ka përfillur udhëzimet administrative për të kryer procesin e kalibrimit të pajisjeve te qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve.
Ministrja Bajrami ka thënë se ia kanë tërhequr vërejtjen kompanisë “Autoinstrument”, mirëpo e pranon se çmimet e paraparë në Udhëzimin Administrativ për shërbimet metrologjisë janë të ulëta.
Ajo ka deklaruar se tani janë në fazën finale të hartimit të udhëzimit të ri administrativ, me të cilin do ketë tarifa të reja për procesin e kalibrimit të pajisjeve të qendrave për kontrollimin e veturave.
Ajo ka thënë se në mungesë të kapaciteteve ata janë detyruar që ta autorizojnë një kompani private, mirëpo, sipas saj, kjo ka krijuar monopol.
Bajrami ka shtuar se me udhëzimin e ri administrativ do të parashihet edhe shprehja e interesit për të gjitha ato kompani të cilat dëshirojnë ta aplikojnë dhe i përmbushin kushtet për ta bërë kalibrimin e pajisjeve tek qendrat për kontrollimin teknik të automjeteve.
Ministrja Bajrami, ka deklaruar se janë në negociata me Bankën Botërore për një projekt në vlerë rreth 25 milionë euro, me të cilin do të krijoheshin laboratorë të rinj të standardeve të fundit për të gjitha fushat, jo vetëm pajisjet për kontrollimin teknik të veturave.
Miliona euro për laboratorë të kontrollit të automjeteve (Video)
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka deklaruar për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, se refuzimi i pronarëve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve që t`i nënshtrohen procesit të kalibrimit të pajisjeve të tyre është i arsyeshëm.