Site icon PrishtinaPress

Miliardat e nëntokës së Kosovës mbesin të pashfrytëzuara

Rreth 12 milionë tonelata linjit konsiderohet që qëndrojnë të paprekura nën këmbët e kosovarëve. Vlera monetare e kësaj pasurie vështirë që mund të paraqitet në shifra, por nëse kalkulojmë sipas shpenzimeve të dy termocentraleve të KEK-ut, i bie që Kosova ka linjit për të prodhuar këtë sasi rryme edhe 1000 vjet të tjera.
Për nga rezervat e linjitit vendi ynë është i pesti në botë.
Duke pasur parasysh këto rrethana njohës të fushës së ekonomisë dhe energjetikës vlerësojnë se qymyri duhet të jetë bartësi kryesor i zhvillimit të energjisë në Kosovë.
Ibrahim Rexhepi, nga Instituti STRASS, thotë se përkundër këtyre pasurive, Kosova tash e 30 vjet nuk ka ndërtuar asnjë central të ri për prodhimin e rrymës nga thëngjilli.

“Të gjitha qeveritë e Kosovës, duke përfshirë edhe këtë aktuale, janë te fokusuara në ndërtimin termocentraleve, mbi bazën e linjitit. Mirëpo, ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje konkrete, madje asnjë kontrate nuk është nënshkruar për arritjen e këtij qëllimi”, shtoi ai.
Rexhepi tha se eksploatimi i qymyrit nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të ndotjes së ambientit.
”Duhet venë kriteret më të ashpra për ruajtjen e ambientit si nga rreziqet që e kërcënojnë nga eksploatimi i qymyrit, ashtu edhe nga përpunimi i mëtejmë i tij. Këtu nuk duhet pasur tolerancë, pa marrë parasysh koston, të cilën do ta paguaj edhe konsumatori. Siç kemi parë nga informatat që kanë ofruar institucionet relevante deri tani, këto kushte pritet t’i përmbush edhe investitori amerikan në termocentralin Kosova e Re”, tha ai.
Edhe Agim Ymeri, inxhinier i Gjeologjisë tha se angazhimi i autoriteteve kompetente në shfrytëzimin e resursit të linjitit nuk është i kënaqshëm.
“Qeveria duhet patjetër t’i përkrah projektet që në parim kanë shfrytëzimin e qymyrit e në veçanti me metoda alternative siç është gazifikimi nëntokësor”, tha Ymeri.

Gazifikimi nëntokësor i qymyrit ka ardhur në diskursin e Kosovës vetëm pas vitit 2012, kur kompania Envidity ka aplikuar për marrjen e një licence për rajonin e Dukagjinit për të bërë prodhimin e naftës nga qymyri. Projekti është miratuar në qeverinë e Kosovës, mirëpo ende është në procedurat nëpër komisione Parlamentare dhe pritet të dalë për votim edhe në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës është në finalizim të marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali me kapacitet të instaluar prej 500 megavatësh. Gjithë investimi do të bëhet nga sektori privat. Kosova e Re synohet të zëvendësoj Termocentralin Kosova A, të cilin qeveria e ka marrë obligim për ta mbyllur në një periudhë afat-mesme.
Sipas qeverisë dhe kompanisë në fjalë, ky termocentral pritet të ulë ndotjen e ambientit nga niveli aktual për masën rreth 90 për qind.
Në Strategjinë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2012- 2025, thuhet se Linjiti konsiderohet resursi më i rëndësishëm energjetik i Kosovës, i cili furnizon rreth 97% të prodhimit total të energjisë elektrike e që shpenzohet për furnizimin e termocentraleve të Kosovës.
Thuhet se Kosova ka potencial të konsiderueshëm të mineraleve me vendburime të nivelit Evropian, me rezerva të mëdha të qymyri (linjitit)
Si basenet më të rëndësishme qymyrmbajtëse konsiderohen Baseni i Kosovës, Dukagjinit, si dhe ai i Drenicës.
Rezervat e vlerësuara të qymyrit (linjitit) në gjithë Kosovën thuhet se janë 12 miliardë e 442 milionë tonelata. /PrishtinaPress.eu

Exit mobile version