Site icon PrishtinaPress

Miftaraj: Veprimet e Listës Serbe të dirigjuara nga Beogradi, BE duhet të reagojë ashpër

Zyrtarët serbë kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e targave.

Dhjetë deputetë të Listës Serbe, kanë dorëzuar mandatet e tyre në administratën e Kuvendit të Kosovës. Tani kryetari i Kuvendit duhet t’i procedojë dorëheqjet të presidentja dhe kjo e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të formatizohet përfundimi i mandatit të deputetëve të dorëhequr.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se këto mandate mund të zëvendësohen me deputetë të së njëjtës parti, varësisht nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit.

“Nëse do të ndiqej Kushtetuta, ligji procedura, do të duhej që pa vonesë, sot brenda ditës kryetari i kuvendit t’i procedojë dorëheqjet te presidentja, presidentja te KQZ dhe në momentin që dërgohen te KQZ konsiderohet që mandati i tyre si deputet ka përfunduar në aspektin procedural e ligjor…Në bazë të asaj që përcakton kushtetuta, ligjit mbi zgjedhjet, këto mandate mund të zëvendësohen me deputetë të së njëjtës parti, pavarësisht nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit”, tha Miftaraj.

Miftaraj një një intervistë për KosovaPress tha se veprimet e Listës Serbe janë dirigjuara nga Beogradi zyrtar derisa shton se Bashkimi Evropian duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljeve të tilla.

“Po flasim për një veprim politik të Listës Serbe, fatkeqësisht të dirigjuar nga vetë Beogradi dhe Vuçiq, sikurse nuk po shohim ndonjë reagim adekuat nga ana e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë lehtësuesit të dialogut Lajçak, i cili besoj se do të duhej të ishte shumë i ashpër në reagim ndaj Beogradit dhe Listës Serbe. Edhe pse këto largime nuk është se janë duke minuar vetëm sistemin kushtetues juridik të Republikës së Kosovës, por janë duke minuar vetë substancën e marrëveshjeve të Brukselit. Kështu që besoj që në ditët në vazhdim krejt fokusi e presioni do të duhej të zhvillohej ndaj Beogradit, ndaj Listës Serbe, në mënyrë që këto të mos shfrytëzojnë pjesën veriore, të mos shfrytëzojnë institucionet si karrem për të shantazhuar qoftë Qeverinë e Kosovës, institucionet e Kosovës apo vet Brukselin siç është në situatën aktuale”, thotë ai.

Përveç dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe, largime ka pasur edhe nga pozitat e krerëve komunalë në veri të Kosovës, derisa dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtar policorë, administrativë dhe ata në gjykata e prokuroria.

Sipas drejtorit të IKD-së, nuk ka tjetër rrugëdalje përveç shpalljes së zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

“Te kryetarët e komunave e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka sqaruar në mënyrë të qartë situatën. Në momentin kur një kryetar i komunës jep dorëheqje nga funksioni konsiderohet që ka efekt juridik e politik dhe nuk jep tjetër rrugëdalje përveç faktit që presidentja së bashku me KQZ ta caktojë afatin për organizmin e zgjedhjeve ku kanë dhënë dorëheqje kryetarët”, tha ai.

Miftaraj thotë se janë tejet shqetësuese dorëheqjet nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve serbë, të cilat sipas tij, nëse formalizohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial, do të nënkuptonte minim të asaj që është ndërtuar nga marrëveshjet e Brukselit nga viti 2013.

Ai thotë se nëse dorëheqjet miratohen me dekret nga ana e presidentes, të njëjtit nuk mund të kthehen më në sistem përveç me shpallje të konkursit të ri.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serb do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Këto veprime kanë ardhur pasi Qeveria e Kosovës filloi të zbatojë planin e saj prej katër fazash për regjistrimin e veturave me targa ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version