Me miratimin e rregullave të procedurës dhe dëshmive nga ana e gjykatësve të Gjykatës speciale dhe pas hyrjes në fuqi, Gjykata Speciale në Hagë tanimë mund të konsiderohet se është tërësisht funksionale, dhe me këtë edhe e gatshme për të pritur aktakuzat e para që mund të paraqiten nga Prokuroria.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ai tha se kjo nënkupton që prokuroria mund të paraqes kërkesat në gjykatë për arrestimin e personave ndaj të cilëve prokuroria pretendon se ka dëshmi se kanë kryer krime në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe 2000.
“Para hyrjes në fuqi të këtyre rregullave, Gjykata Kushtetuese mund të vlerësoj se të njëjtat janë në pajtim me Kushtetutën, respektivisht në pajtim me parimet dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë lidhur me të drejtat e liritë e njeriut”, tha Miftaraj për Telegrafin.
Ndryshe, gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë miratuar rregulloren e Procedurës dhe Provave me të cilën i hapet rrugë ngritjes së aktakuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Kryetarja e Dhomave të Specializura, Ekaterina Trendafilozva, Rregulloren ia ka dërguar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të parë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Për këtë Dhoma e Specializuar ka deri në 30 ditë afat. Rregullorja hyn në fuqi 7 ditë pasi Dhoma e Specializuar ta thotë fjalën e saj rreth kushtetutshmërisë. Pastaj Gjykata Speciale mund të ngrit aktakuzat.