Site icon PrishtinaPress

Miftaraj: Edhe nëse Berisha e Kinolli e fitojnë rastin në Kushtetuese, Presidentes s’i rrezikohet pozita

Politikani i komunitetit egjiptian, Veton Berisha dhe ai i komunitetit rom, Albert Kinolli po pretendojnë se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje të mëdha në zgjedhjet e fundi të përgjithshme. Sipas tyre, Iniciativa Rome ka arritur t’ua zë vendin në Kuvend me ndihmë të votave të serbëve të instruktuar nga Lista Serbe.

Ky proces gjyqësor u raportua se mund ta rrëzojë presidenten Vjosa Osmani nga pozita e shefes së shtetit. Por kështu nuk mendon Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Miftaraj tha se mandati i Presidentes apo Qeverisë nuk mund të rrezikohet edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Berishës dhe Kinollit, raporton Gazeta Express.

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë”, shkroi Miftaraj në një postim në Facebook.

“Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin”, shtoi ai.

Një tjetër arsye se ky proces s’e rrezikon mandatin e Presidentes, Miftaraj e përmendi edhe afatin e kontestimit të zgjedhjes së saj.

“Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputeteve, prapë se prape nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjës së Presidentës së republikës”, shkroi ai.

Miftaraj thotë se ky rast “nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti”.

“Kjo pasi në rastin e Qeverisë Hoti, procedura kushtetuese ka qenë e iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z. Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja më vendimet tanimë të nxjerra (Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese është ndjekur në rastin e vendimit për përzgjedhjen e z. Pacolli si president dhe vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti)”, shkroi Miftaraj./PrishtinaPress/

Exit mobile version