Site icon PrishtinaPress

MI-ja shkëput kontratën me kompaninë e Steviçit

Ministria e Infrastrukturës ia ka shkëputur kontratën publike kompanisë “RAD D.O.O”, në pronësi të Radulla Steviç, i sanksionuar dy javë më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin në lidhje me çështjen e tenderit që Zyra e Prokurimit të MI-së ia ka dhënë kompanisë RAD D.O.O.., e ka bërë publik zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Nga sot kompania RAD. D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021-2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”, tha Durmishi, i cili publikoi dhe vendimin për shkëputjen e kontratës.

“Sot është nënshkruar amandamentimi i kontratës ku pjesë e konsorciumit mbeten kompanitë B Corp dhe Europa Parters të cilat së bashku i plotësojnë kriteret e dhënies”, tha ai.

Kompanitë P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O. që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës figurojnë në emrin e Steviqit, kanë fituar tenderë nga institucionet e Kosovës për një sërë projektesh, duke filluar nga ato infrastrukturore në komunat në veri, ndërtimi i banesave sociale, i çerdheve, renovimi i shkollave, furnizimi me pajisje të teknologjisë informative, furnizimi me materiale ndërtimore, furnizimi me mobilie e deri te prodhimi i pajisjeve të trafikut dhe sinjalizimit.

Exit mobile version