Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e gjashtë projekteve infrastrukturore në komunën e Ferizajit.
MI-ja do të financojë realizimin e asfaltimit të rrugëve Sazli – Prelez i Muhaxherëve në vlerë prej 400,000 €, Sojevë – Mirosalë – Pojatë – Softaj në vlerë prej 400,000 €, Rahovicë – Kishnapole në vlerë prej 600,000 €, Pleshinë – Kashtanjevë në vlerë prej 1,000,000 €, Talinoc i Muhaxherëve në vlerë prej 200,000 € dhe ndërtimin e rrugës Bibaj (Kyqja R6) – Driton Islami (N2) në vlerë prej 400,000 €.
Me këtë Memorandum, MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa, Komuna e Ferizajt obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtyre projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.
Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.
Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapsinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.