Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm me komunikim konstruktiv me institucionet kosovare dhe kryeministrin Albin Kurti.
Meta deklaron se nuk është e nevojshme të bëhen ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, që mund të acarojnë dhe përshkallëzojnë këtë situatë delikate.
“Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë” ka shkruar Meta.
Sipas tij, Kurti në vazhdimësi ka treguar përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Vuçiqi ka demonstruar të kundërtën.
“Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës” ka thënë mes të tjerash Meta.