5.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Meta nuk i dekreton ministrat kosovarë të Ramës

Në Shqipëri, një ditë pasi kryeministri Edi Rama i dërgoi ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar, presidenti Ilir Meta firmosi sot dekretet vetëm për një pjesë të tyre. Dy janë elementët që bien në sy në vendimin e Kreut të Shtetit. Fakti që nga 8 ministra që largohen ai ka fimosur shkarkimin e të gjithëve, me përjashtim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Po ashtu, nga 9 emrat e rinj, përfshirë postin e ri të Ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ai ka dekretuar vetëm 4 prej tyre.

Bëhet fjalë për zëvendëskryeministrin Erion Braçe, ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, ministrin për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalësi dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Përzgjedhje e tyre nuk duket aspak rastësore, pasi që të katër janë aktualisht dhe anëtarë parlamenti, dhe plotësojnë automatikisht kriterin për të qenë anëtarë të kabinetit qeveritar. Për emërimet e tjera, të cilat vijnë jashtë politikës, mesazhi i Presidentit duket të jetë i qartë. Për Gent Cakajn, si ministër i Jashtëm, Anila Denajn, si ministre e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ballukun si ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Besa Shahinin si ministre e Arsimit dhe Elva Margaritin si ministre e Kulturës, kreu i Shtetit duket se do të shfrytëzojë kohën prej 7 ditësh që i jep Kushtetuta, për të bërë verifikimet që ai mund t’i mendojë të nevojshme, raporton VOA.

Mosfirmosja e shkarkimit të ministrit Bushati, duket gjithashtu një sinjal se për pasuesin e tij në krye të diplomacisë, Presidenti Meta do të mendohet edhe më shumë se për ministrat e tjerë. Në fakt lëvizja e Ramës shkaktoi jo pak habi dhe tërhoqi kritika të shumta.

Nga njëra anë sepse ajo erdhi në një moment kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit evropian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit.

Nga ana tjetër edhe emri i përzgjedhur, ai i të riut nga Kosova, Cakaj, aktualisht zëvendësministër i Jashtëm, është parë me skepticizëm, për shkak të moshës së re dhe mungesës së një eksperience të nevojshme për një nga postet kyç të një qeverie.

Megjithatë kryeministri e ka mbrojtur më këmbëngulje zgjedhjen e tij duke e cilësuar “si një ndër njerëzit më të ditur që unë kam takuar në jetën time, si një njeri i përkushtuar ndaj një pune shumë të vështirë, si puna që ka bërë duke mbuluar të gjithë procesin e integrimit, ku kam mundur të vlerësojë kapacitetin e tij edhe si drejtues i një procesi shumë të vështirë dhe patjetër, edhe si një djalë që është shumë pranë vizonit, programit, mënyrës së të parit të gjërave të familjes sonë politike. Historia e tij nuk është shumë e gjatë, sepse ai është djalë i ri, por i tregon të gjitha këto”, u shpreh pak ditë më parë Rama.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img