4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Mësuesit, rastet sociale, punëtorët e krahut në Gjermani… pushteti i Kurtit sheh kudo analfabetë

Me një fjali, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – lëndoi sot shumë kategori.

Mësuesit, rastet sociale, punëtorët e krahut në Gjermani, siç i quajti ai, i konsideroi analfabetë.

“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, tha sot Kurti në konferencën për media, ku njoftoi se do ndahen 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion, shkruan Gazeta Insajderi.

Reagim i Kurtit erdhi pas grevës që është duke u mbajtur nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, sindikata këto që po kërkojnë nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Kjo rritje page, sipas Kurtit është e papërgjegjshme, kur fëmijët dalin anafabetë.

“Në një Kosovë, në të cilën testet e PISA-s po na i nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, ta kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit, se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”, tha tutje Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për të bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Është papërgjegjësi totale”, tha Kurti.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), grevën e ka nisur që nga 25 gushti.

Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Sipas tij, nuk ka munguar dialogu social me sindikatat, por ka thënë se si kryeministër takohet vetëm me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerë të degëve sindikale.

Për muajin gusht, Qeveria e Kosovës i ka ekzekutuar pjesërisht pagat, për shkak të vonesave në përditësimin e listave të pagave.

Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.

Më 29 gusht, ministri Murati kishte deklaruar se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.

Mosekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.

Për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img