Shekulli XXI e ka sjell një zhvillim të hovshëm të futbollit, i cili është pa diskutim sporti më i ndjekur dhe më i pëlqyer në planet.
Futbollistët dhurojnë spektakël dhe emocione në fushën e blertë, mbi të gjitha me asistimet dhe me golat e tyre.
Por, kush ishin ata që u dalluan më së shumti në shekullin në të cilin po jetojmë?

Pa diskutim, thuajse në dy dekadat e fundit, futbolli ka rënë në duart e Leo Messit dhe të Cristiano Ronaldos.
Mirëpo, as lojtarët tjerë nuk mbesin shumë prapa me paraqitjet dhe me kontributet e tyre në skuadrat ku kanë luajtur apo ku luajnë edhe momentalisht.
Ne do t’ua sjellim listën e lojtarëve me më së shumti përfshirje në gola që nga sezoni 2000/2001 në ligat më të forta të Evropës.
Lionel Messi konsiderohet si futbollisti më i mirë në histori.
Argjentinasi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futboll.

Nëse i llogarisim vetëm paraqitjet në ligë, 36 vjeçari kishte më së shumti përfshirje në gola në Barcelonë dhe në Paris Saint-Germain.
Në total, kampioni i botës i ka 743 kontribute, duke i përfshirë këtu 496 gola e 247 asistime.
Messi i kishte shënuar 474 gola dhe i kishte bërë 216 asistime në La Liga, ndërsa i kishte 22 gola e 31 asistime në Ligue 1.
Edhe pse i dha fund eksperiencës evropiane, do të jetë e vështirë që dikush ta thyejë rekordin e futbollistit të ri të Inter Miamit.
Cristiano Ronaldo është golashënuesi më i mirë në histori.
Mirëpo, kur jemi te golat në ligë, ai është i dyti, prapa Messit.

“CR7” ka kontribuuar në 636 gola në Premierligë, në La Liga dhe në Serie A.
Me Manchester Unitedin në ligë i ka shënuar 103 gola, me Real Madridin 311 gola dhe me Juventusin 81 gola.
Në total, ai i ka 151 asistime në ligë.
Luis Suarez konsiderohet si qendërsulmuesi më i mirë i dy dekadave të fundit.
Sulmuesi uruguaian ka qenë i jashtëzakonshëm në dy ligat më të forta evropiane, në Premierligë dhe në La Liga, por shkëlqeu edhe në kampionatin holandez – Eredivisie.

Lojtari jug-amerikan i kishte në total 518 kontribute në këto tri liga evropiane.
Në kampionatin spanjoll me Barcelonën dhe me Atletico Madridin, veterani i sulmit i ka shënuar plot 176 gola, ndërsa i kishte edhe 84 asistime.
Në kampionatin anglez, Suarez i shënoi 69 gola dhe i bëri 39 asistime me Liverpoolin.
Kurse, në ligën holandeze me Ajaxin i shënoi 91 gola dhe i pati 59 asistime. I jashtëzakonshëm!
Zlatan Ibrahimovic është një tjetër sulmues që ka lënë gjurmë në histori të futbollit.
Futbollisti suedez ka kontribuuar në 477 gola në ligat evropiane.

Ai me Milanin, Interin dhe Juventusin në Serie A i shënoi 156 gola dhe i bëri 69 asistime.
Në Ligue 1 me Paris Saint-Germainin i shënoi 113 gola dhe i pati 44 asistime.
Në Premierligë me Manchester Unitedin i realizoi 17 gola dhe i kishte 5 asistime, kurse në La Liga me Barcelonën i pati 16 gola e 9 asistime.
Robert Lewandowski ishte një tjetër sulmues me formë të shkëlqyer dhe konstante në dekadën e fundit.
Sulmuesi polak ka kontribuuar në 417 gola në ligat e forta evropiane.

Me Bayern Munichun dhe me Borussia Dortmundin në Bundesligë i kishte 335 gola dhe 75 asistime, kurse në La Liga me Barcelonën, 23 gola e 7 asistime.
Karim Benzema u largua sa fundmi nga futbolli evropian pasi fitoi gjithçka që është e mundshme.
Sulmuesi francez ka kontribuuar në 423 gola në eksperiencat e tij në La Liga dhe në Ligue 1.

Me Real Madridin në kampionatin spanjoll i ka shënuar 238 gola dhe i ka bërë 119 asistime.
Kurse, me Lyonin në Francë i kishte 42 gola e 23 asistime.
E ndër sulmuesit që kanë dhënë më së shumti kontribute në ligat e mëdha evropiane në Shekullin XXI janë edhe Samuel Eto’o, Didier Drogba, Neymar, Sergio Aguero, Dirk Kuyt, Andriy Shevchenko e të tjerë.
