Site icon PrishtinaPress

Mesiq: Asnjë shqiptar nuk ka qenë në anën e armikut tonë

Ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, ka rrëfyer rreth miqësisë me shqiptarët, kontributin e tyre në krijimin e shtetit të pavarur të Kroacisë, si dhe për vitet e turbullta të agonisë dhe shkatërrimit të Jugosllavisë.

Njeriu që kaloi të gjitha postet e larta publike në Kroaci, por edhe në ish-Jugosllavi, ka folur për situatën e përgjithshme në Kosovë në vigjilje të 14-vjetorit të pavarësisë, negociatat me Serbinë, rolin e BE-së dhe të SHBA-së në këto negociata, si dhe zhvillimet në planin ndërkombëtar dhe situatën në Ukrainë.

Mesiq, gjatë intervistës për KosovaPress, është ndalur edhe tek ish-krerët shtetërorë të Kosovës të cilët ndodhen në Hagë, si dhe procesi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Duke thënë se shqiptarët janë të mirëseardhur gjithmonë në Kroaci, Mesiq bëri të ditur se kishte ndarë edhe qelinë e burgut me ta, pas “pranverës kroate” të vitit 1971, ku ishte dënuar me një vit burgim për shkak të pjesëmarrjes në protesta.

“Shqiptarët janë gjithmonë të mirëseardhur në Kroaci. Kemi prej tyre të ardhur nga Shqipëria para 300 vitesh. Kemi në Zarë shqiptarë më shumë se 1/3-ën e popullatës, stërgjyshërit e tyre janë lindur aty. Kemi edhe të tjerë të cilët kanë ardhur më vonë dhe ata i përkasin shtresës së pasur në Kroaci, por ajo që dua të them për shqiptarët është se asnjë shqiptar nuk ka qenë në anën e armikut tonë, asnjë, që do të thotë se të gjithë shqiptarët kanë qenë në anën e Kroacisë. Edhe në burg kam qenë me disa shqiptarë, pesë kanë qenë gjithsej, dy prej të cilëve të dënuar për nacionalizëm kroat, ndërsa tre për nacionalizëm shqiptar”, ka thënë Mesiq.

Mesiq shpalosi kujtimet para shkatërrimit të Jugosllavisë, ku njëra prej propozimeve ishte konfederata, me c’rast siç u shpreh, do të ishte rrugëdalje edhe për Kosovën, sepse si pjesë përbërëse e federatës Kosova do të bëhej republikë e pavarur dhe me të drejta të barabarta me njësitë e tjera. Mirëpo, shtoi ai, një gjë e tillë u pamundësua nga Millosheviqi, i cili dëshironte Serbinë e madhe.

“Millosheviqi kurrë nuk ka pranuar që të shkojmë në një marrëveshje të re politike, në bazën konfederale, dhe në paqe të nënshkruajmë marrëveshjen e re për tre vite, pesë, tetë vite, qyshdo që ishim dakorduar, pa vrasje, shkatërrime. Kjo do të ishte rrugëdalje për të gjithë dhe gjithsesi edhe për Kosovën, sepse Kosova ka qenë element konstituiv i federatës, njëjtë sikur edhe Vojvodina, do të thotë gjashtë republika dhe dy krahina, mirëpo Millosheviqit i cili dëshironte Serbinë e madhe një gjë e tillë nuk i leverdiste, andaj nuk pranonte asnjë marrëveshje”, theksoi Mesiq.

Në lidhje me pikëpamjet e tij për Kosovën pas 14 vitesh të mëvetësisë së saj, Mesiq tha se këtu po punohet vazhdimisht dhe se Kosova po zhvillohet.

“Kjo që unë shoh sot në Kosovë, sepse vizitoj shpesh Kosovën, është një punë e vazhdueshme. E qartë, njerëzit kurrë nuk janë të kënaqur plotësisht, gjithmonë kërkojnë më shumë, më mirë, dhe kjo është normale. Mirëpo, është fakt se Kosova po zhvillohet… Duhet t’u jemi falënderues atyre të cilët mundësuan që Kosova të jetë e lirë, ata janë luftëtarët, por edhe qytetarët të cilët kuptuan se Jugosllavia më nuk ekziston si federatë dhe kanë të drejtën e pavarësisë të cilën e zgjodhën”, u shpreh Mesiq.

Sa i përket negociatave dhe ndërmjetësimit nga ana e BE-së, ish-presidenti kroat tha se Evropa duhet të angazhohet më shumë. Ai shpreson edhe në angazhimin dhe rolin amerikan, por shton se kjo do të ndodhë atëherë kur të vijë koha, për shkak të vatrave të reja të krizave të krijuara si në Ukrainë e gjetiu. Sipas tij, bisedimet mund të kenë sukses vetëm atëherë kur Kosova të negociojë si shtet sovran me kontroll të plotë në tërë territorin e saj.

“Evropa akoma nuk është përfshirë deri në fund sa i përket bisedimeve. Do të thotë kemi akoma bisedime pa ndonjë sukses dhe thjesht pa ndonjë angazhim të madh nga BE-ja. Unë mendoj se ata janë të vetëdijshëm se duhet një angazhim më i madh nga ana e tyre në mënyrë që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të kenë sukses. Këto bisedime mund të kenë sukses atëherë kur Kosova të jetë në tërë territorin e saj. Kosova duhet të jetë sovrane dhe si një shtet sovran me tërë territorin e saj mund të negociojë… Unë shpresoj sigurisht në rolin amerikan, por kur të vjen koha, sepse kemi vatra krizash të reja, shikoni Ukrainën, Bosnjën, në një formë edhe Mali Zi është vatër e krizës”, vijoi Mesiq.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, Mesiq tregon se ka pasur një marrëveshje dikur në mes të Amerikës dhe ish-presidentit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mihajl Gorbacov, që pakti i Varshavës të shuhet, por që NATO mos t’i afrohet Rusisë. Problemi është, shtoi ai, se një marrëveshje e tillë nuk u nënshkrua asnjëherë dhe si pasojë sot ka një krizë. Ai mendon se përkundër problemeve dhe krizës së krijuar atje, luftë nuk do të ketë.

“Është e vërtetë Evropa ka problemin e Ukrainës, por parashtrohet pyetja pse. Ka pasur një propozim amerikan ndaj kryetarit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mihajl Gorbaçov, që Bashkimi Sovjetik të pajtohet me bashkimin e Gjermanisë lindore dhe perëndimore. Një prej kushteve të Gorbacovit ka qenë që pakti i NATO-s mos t’i afrohet Rusisë, dhe kjo do të thotë që NATO mos të pranojë ato shtete të cilat kanë qenë anëtare të paktit të Varshavës, sepse Rusia kishte pranuar edhe shuarjen e paktit të Varshavës. Mirëpo, një marrëveshje e tillë nuk është nënshkruar dhe tani kemi një situatë ku shtetet të cilat kanë qenë në paktin e Varshavës tani janë anëtare të NATO-s dhe po i afrohen kufijve të Rusisë. Unë konsideroj se kjo çështje do të zgjidhet përmes bisedimeve, nuk mund të vij te lufta nukleare. Kushdo që mendon se jemi para një lufte të madhe, unë mendoj se jo, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, sqaroi Mesiq.

Duke folur për ish-ushëheqësit e Ushtrisë Çlrimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë, Mesiq tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë për veprat për të cilat po dyshohen Thaçi dhe të tjerët, ndërsa shprehu besimin se do të fitojë drejtësia.

“Unë të gjithë ata njerëz i njoh. I njoh nga kohët kur kanë luftuar për pavarësinë e Kosovës. Aq sa jam në dijeni, unë nuk jam i informuar për veprat penale, mirëpo ekzistojnë proceset, institucionet dhe shpresoj se do të fitojë drejtësia”, u shpreh Mesiq.

Ish-presidenti kroat qëndroi në Kosovë ku gjatë paradites së djeshme vizitoi edhe Mitrovicën e Veriut.

Exit mobile version