Site icon PrishtinaPress

Mësimi në distancë nga sot edhe për parashkollorët

Mësimit në distancë në Kosovë prej sot i shtohet edhe ai parashkollor.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lansuar edhe një tjetër platformë, kësaj radhe për edukimin e hershëm që do të jetë në dispozicion për fëmijët, prindërit dhe kujdestarët, përmes E-mësimit.

Ministrja në detyrë e Arsimit Shkencës dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami në konferencën për medie ka bërë të ditur se tashmë do të jetë në dispozicion Platforma e Edukimit të Hershëm, platformë kjo e cila shërben për mësim të nivelit të nxënësve nga mosha 0 deri në 6 vjeçare.

Kjo platformë, është realizuar në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Shoqatën “Save The Children” në Kosovë.

Bajrami bëri të ditur se kjo platformë do të vendoset në platformën E-Mësimi, ndërsa tha se do të jetë në dispozicion që nga mërkura për prindërit e kujdestarët ligjor të fëmijëve si dhe për edukatorët.

Ajo tha se përmes kësaj platforme do të ndihmohen fëmijët që të zhvillohen në kushte shtëpie, ku ka edhe informata se si duhet të sillen prindërit me fëmijët gjatë kohës së pandemisë.

“Ju bëjmë thirrje të gjithëve që të marrin instruksione, të dëgjojnë përrallat dhe përmbajtjet për aktivitetet ditore. Këtë platformë mund ta gjeni te E-Mësimi, poshtë linkut të saj, është kjo platformë. Aty ka aktivitetet ditore, video të ndryshme se si të sillemi me fëmijët gjatë kohës së pandemisë dhe mundësitë për të biseduar me ekspertë, psikolog e pedagog të ndryshëm dhe përfaqësues të MASHTI-t, për çfarëdo paqartësie”, tha Bajrami.

Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ajo iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.

Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjlit tanë.

MAShTI, ka lansuar edhe një video informuese, e cila prezanton përmbajtjen dhe mënyrën e përdorimit të platformës.

Platforma do të jetë funksionale nga (15.04.2020). Linku i platformës është: edukimihershem-rks.net  në të cilin link mund të qaseni edhe përmes platformës qendrore të mësimit në distancë: emesimi.rks-gov.net.

Exit mobile version