2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Mësimdhënësit paralajmërojnë grevë gjatë shtatorit

Mësimdhënësit e shkollimit parauniversitar në Kosovë, janë të vendosur që ta bojkotojnë mësimin në shtator nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, e që janë: pagesa e 70 për qind të pagesës së udhëtimit dhe tri pagat suplementare pas pensionimit, të cilat parashihen edhe me kontratën kolektive.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, tha për Kosovapress se mësimdhënësit nuk kanë zgjidhje tjetër pasi që këto kërkesa nuk po realizohen tash e sa vjet.
Mirëpo, sipas tij, mësimdhënësit nuk do ta bojkotojnë mësimin më 1 shtator, pasi për këtë e kanë një arsye.
“Unë jam i sigurt se grevë më 1 shtator nuk do të ketë. Arsyeja është se e bëjmë për dy qëllime: qëllimi njerëzor dhe i profesionit të arsimtarit është që të mos ua mohojmë vogëlushëve të klasës së parë realizimin e asaj ëndrre që tërë verën e kanë menduar se si do të duket shkolla dhe si do të jetë takimi i parë me mësuesin apo mësuesen. Nga ana tjetër, e kemi edhe një obligim sindikal, do ta shohim fillimin e vitit të ri shkollor, ngase kemi frikë se mund të ketë edhe telashe me sistemimin e mësimdhënësve, me normat e punës, dhe pasi ta kemi të qartë se nuk do të ketë, dhe urojmë që mos të ketë mësimdhënës që do të mbesin keq me norma, dhe pasi që vogëlushët do të njihen me mësuesit apo mësueset, ne do të thërrasim Këshillin Drejtues dhe kam frikë se shtatori do të këtë greva. Janë dy arsye: një është reagimi ynë ndaj pushteteve lokale ngaqë me kontratën kolektive tani e dy vjet ata nuk kanë bërë asnjë hap madje edhe kanë hezituar të takohen me përfaqësues të niveleve komunale sepse ata e kanë marrë obligim dhe kontrata i obligon por e kanë marrë obligim në takim me ministrin [e Arsimit] Bajrami që ta zgjidhin çështjen e kompensimit 70 për qind të udhëtimit dhe ta zgjidhin çështjen e tri pagave me rastin e pensionimit. Asnjëra nga këto dy çështje ata nuk i kanë realizuar”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Jashari është shprehur se për grevën dhe kërkesat e mësimdhënësve është njoftuar edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, si dhe institucionet tjera shtetërore.
“Unë konkretisht i kam dërguar letra edhe në adresë të kryeparlamentari edhe të presidentit edhe kryeministrit dhe nesër do të mundohemi që të kemi kontakte për të caktuar takime edhe me ministrat në mënyrë që të ju tregojmë dhe iu kemi treguar përmes shkresave gjendjen dhe kemi kërkuar që të takohemi duke iu treguar se nëse nuk ka dialog atëherë mos të shprehin habi siç e kanë zakon kur të ndodhin grevat. Mësimdhënësit e Kosovës e urrejnë grevën, nuk e duan grevën sepse edhe ata humbin shumë, por humbësit më të mëdhenjtë janë fëmijët e në këtë rast dhe në çdo rast tjetër fëmijët janë ata që nuk e kanë asnjë faj. Ne gjithmonë kemi kërkuar falje prej prindërve dhe fëmijëve por le te dinë se edhe ne mësimdhënësit jemi prind dhe me grevat humbin edhe fëmijët tanë por kur nuk ka zgjidhje tjetër ne duhet të veprojmë sepse e kemi obligim sepse jemi zëri i mësimdhënësve të Kosovës”, ka deklaruar Jashari.
Mirëpo, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami është shprehur se nuk është e nevojshme të fillohet greva, madje sipas tij ky term duhet të hiqet nga fjalori i mësimdhënësve pasi sipas tij MASHT i ka plotësuar të gjitha kërkesat që dalin nga kontrata kolektive.
“Unë e kuptoj nganjëherë edhe nevojën e sindikatave për një proaktivitet dhe tradicionalisht për përdorimin e termit grevë por unë i lus miqësisht që ta shmangin nga fjalori, do të bëjë përpjekje që këto kërkesa lokale që janë kompetencë e komunave, nuk janë kompetencë e MASHT-it sepse ministria vitin e kaluar i ka përmbush pikat e kontratës kolektive të realizohen. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë greva, i ftoj mësimdhënësit që sivjet ta bëjnë të mundur ndërtimin e cilësisë, ia kemi borxh fëmijëve, nxënësve tanë që të fillojmë të ngarrisim cilësinë, të ndërtojmë shkolla cilësore, ia kemi borxh familjeve, ia kemi borxh edhe këtij vendi që të ofrojmë arsim cilësor”, ka deklaruar Bajrami.
Mësimdhënësit e Kosovës tash e disa vjet janë duke kërkuar që t’u plotësohen obligimet të cilat dalin nga kontrata kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe MASHT-it, siç është pagesa e 70 për qind të udhëtimit, si dhe tri paga pas pensionimit të cilat nuk u janë plotësuar.
Këtë kërkesë të tyre, mësimdhënësit janë shprehur të vendosur që ta realizojnë duke mos i përjashtuar edhe grevat.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img