Përfaqësuesit e partive politike, të cilët kanë qenë në takim me komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn, konfirmojnë se mesazhi i BE-së ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse nuk kalon Demarkacioni.
Por, Hahn ka thënë se për zgjedhje merren vesh partitë politike në Kosovë dhe jo në Bruksel. Opozita thotë se tani është momenti për zgjedhje të reja
Komisionari për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, u ka dhënë mesazhe të qarta liderëve politikë në vend për mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Zëri” ka mësuar se në takimin e liderëve në fund të javës së kaluar Hahn ka thënë se partitë politike në vend mund të vendosin për të shkuar në zgjedhje nëse Qeveria nuk arrin të shtyjë përpara procese të rëndësishme.
Madje kjo konfirmohet edhe nga përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend, përderisa koalicioni qeverisës heziton të flasë për takimin e së premtes.
Ndërsa në konferencën për medie, Hahn nuk e ka fshehur habinë e tij se si një koalicion që ka dy të tretat e deputetëve në Kuvend nuk arrin ta ratifikojë Demarkacionin, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka konfirmuar se komisionari Hahn ka përmendur zgjedhjet si opsion në takimin e liderëve.
Sipas “Vetëvendosjes” po vërehet pafuqia dhe paaftësia e këtij koalicioni për ta udhëhequr vendin.
“Po, Johannes Hahn ka përmendur zgjedhjet edhe në takimin e liderëve. Mbase nga fakti që po vërehet tashmë qartë paaftësia dhe pafuqia e kësaj Qeverie për të vazhduar me udhëheqjen e vendit. Dhe ne konsiderojmë se ky është opsioni i vetëm në rrethanat që janë krijuar, ku ka ngecje në çdo aspekt dhe kërcënim të vazhdueshëm për integritetin dhe sovranitetin e vendit”, thuhet në përgjigjen e “Vetëvendosjes”. /Zëri/